Nis mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për raportin e UNMIK-ut për Kosovën

16:38 | 9 Prill 2026
E.G

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për situatën në Kosovë, në kuadër të raportit të rregullt gjashtëmujor të misionit të OKB-së, UNMIK.

Në këtë seancë, Përfaqësuesi Special dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due po raporton mbi zhvillimet politike dhe të sigurisë për periudhën shtator 2025 – mars 2026.

Kosova në këtë takim përfaqësohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili do t’i paraqesë pikëpamjet e Republikës së Kosovës në KS të OKB-së.

Sipas raportit të shefit të UNMIK-ut, situata në veri të Kosovës vlerësohet si e qetë, por e brishtë, ndërsa theksohet edhe progres i kufizuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në raport përmenden edhe zgjedhjet komunale dhe ato parlamentare të fundit, të cilat janë zhvilluar në mënyrë paqësore dhe me pjesëmarrje të gjerë të komuniteteve.

Në raport thuhet se Lëvizja Vetëvendisje ka dalë fituese në zgjedhjet parlamentare, ndërsa Albin Kurti është zgjedhur kryeministër, duke i dhënë fund bllokadës politike disamujore. Megjithatë, raporti vë në pah edhe zhvillimet e fundit politike, përfshirë mospajtimet për zgjedhjen e presidentit dhe vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, i cili është sfiduar dhe më pas është shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Në raport është përmendur takimi i parë trepalësh për personat e zhdukur në Bruksel, si dhe takimet që ka pasur përfaqësuesi i BE-së, Peter Sorensen me liderët e të dyja vendeve, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.