Nipi i ish-kancelarit gjerman Kohl kërkon njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës

16:32 | 27 Qershor 2025
E.K

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka ndarë me publikun një fjalim të veçantë të Johannes, nipit të ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, të mbajtur në Bundestag.

Në fjalimin e tij të parë në parlamentin gjerman, Johannes ka shprehur mbështetje të fuqishme për Kosovën, duke bërë thirrje për njohjen e saj nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ky fjalim u bë gjatë seancës ku u diskutua për zgjatjen e mandatit të misionit të Bundeswehr-it në Kosovë, dhe ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, ambasadori Ajeti falënderoi Johannes për fjalimin e tij të fuqishëm, duke e cilësuar atë si “një mesazh të jashtëzakonshëm dhe një mbështetje të rëndësishme për Kosovën.

‘‘Falemnderit Johannes! Ndërsa fjalimi i fundit i Helmut Kohl në Bundestag ishte më 1 korrik 1999, nipi i tij, Johannes, debutoi dje me fjalimin e tij të parë në Bundestag – dhe atë me një mbështetje të fuqishme për Kosovën, me rastin e votimit për zgjatjen e misionit të Bundeswehr-it në Kosovë. Një fjalim i jashtëzakonshëm, që bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së, anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, si dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë’’, ka shkruar Ajeti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme