Nga nesër ndërpritet qarkullimi i kamionëve në pikat kufitare me Serbinë

23:11 | 25 Janar 2026
E.G

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se duke filluar nga nesër, më 26 janar 2026, nga ora 12:00, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi vjen si pasojë e masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian për shoferët e kamionëve të rajonit, ndërsa protestat do të zhvillohen në territorin e Serbisë dhe pritet të zgjasin deri në shtatë ditë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar bën të ditur se këto protesta do të ndikojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e mjeteve të transportit të mallrave, si dhe do të shkaktojnë mbingarkesë të trafikut në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit që janë të përfshira në protesta.

QKMK u rekomandon shoqatave të transportit të mallrave dhe shoferëve të kamionëve që të mbajnë kontakte të vazhdueshme me homologët dhe kolegët e tyre në rajon, me qëllim të informimit të saktë dhe në kohë.

Për informata shtesë, qytetarët dhe operatorët ekonomikë mund të kontaktojnë Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar në numrat +383 45 198 000, +383 45 198 606, si dhe në numrin pa pagesë 0800 500 95./Arbresh.info