Nesër vendimi përfundimtar për Brezovicën

20:02 | 6 Prill 2015
M. A.

Nesër pritet të merret vendimi përfundimtar për privatizimin e Qendrës së Skijimit Brezovica nga Komiteti ndërministror i Qeverisë së Kosovës.
Korporata e përbashkët Franceze dhe e Andorrës e ka fituar tenderin ndërkombëtar për Brezovicën dhe se shpejti pritet të filloj investimet në këtë qendër që kapin shifrën 400 milionë euro.

Mirëpo, serbët e ndikuar nga Beogradi thonë se me “planin e privatizimit parashihet rrënimi i qendrës aktuale të skijimit” dhe se me këtë “do të mbesin të papunë 200 serbë”.

Sipas B92, ata kërkojnë nga autoritetet e Shtërpcës dhe Qeveria e Serbisë që ta ndalojnë privatizimin.
Sipas këtij televizioni serb, përveç rrënimit të objekteve aktuale të qendrës së skijimit, me privatizimin e Brezovicës, Qeveria e Kosovës do të bëjë edhe eskproporimin e më shumë se 3 hektarëve tokë që janë në pronësi të serbëve.

Punëtorët e qendrës së skijimit dhe banorët e Siriniçkes e kanë nisur një peticion për të ndaluar privatizimin.
Drejtori i qendrës së skijimit, Slagjan Nikolçeviq, thotë se pas privatizimit të Brezovicës qëndron lobi shqiptar, e jo korporata franceze.
“Sipas ligjeve aktuale të Kosovës mundësinë për ta parandaluar privatizimin edhe më tej e ka komuna e Shtërpcës. Megjithatë Kuvendi i Kosovës javën e kaluar e ka futur në shqyrtim ligjin e ri me të cilin qeveritë komunale në territoret e të cilave ndodhen kompanitë publike nuk kanë të drejt që të vendosin për pasurinë e tyre, por këtë do ta bëjë Qeveria e Kosovës”, raporton B92.

Kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq nuk ka dashur të flasë për privatizimin para kamerave, por përmes SMS-it ka thënë se komuna do të merr vendim në të mirë të qytetarëve.
“Duhet së pari t’i mbrojmë njerëzit tanë që jetojnë këtu dhe interesin e njerëzve që kanë punuar në Inex. Komuna është kundër eksporproimit të tokës private, mirëpo plani për revitalizimin e qendrës së skijimit nuk mund të hidhet poshtë, sepse askush deri me tash nuk e ka ofruar një plan të tillë”, ka thënë Nikoliq./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme