Nesër nis zbatimi i ligjit për të huajt

23:02 | 14 Mars 2026
Q L

Një ditë para hyrjes në fuqi të Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjetet, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku është pritur nga kryeministri Albin Kurti. Emisari i BE-së ka mirëpritur angazhimin e Kosovës për zbatimin gradual të këtyre ligjeve. Ndërsa, kreu i ekzekutivit tha se zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete do të bëhet në koordinim me emisarin special të BE-së, Sorensen, por edhe me serbët lokalë.

Nga 15 marsi do të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Veturat, e ky proces do të zhvillohet në kordinim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb. Kështu tha kryeministri Albin Kurti pas takimit më përfaqsuesin e bashkimit evropian për dialog me serbin.

“Nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që vijnë apo qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja, Bujanovci, fshatrat dhe qytetet e tjera të Serbisë. Një pjesë e tyre janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia. Dua të potencoj që nuk është interesi i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat, të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por po ashtu dua të theksoj fuqishëm, që njësoj është qëndrim i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jo miqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës”, deklaroi Kurti.

Ky vendim është mirëpritur nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.

“Ne kemi ndjekur përpjekjet informuese dhe hapat përgatitorë të ndërmarrë nga institucionet e Kosovës dhe vërejmë pozitivisht përpjekjet e bëra për të siguruar një zbatim të rregullt të të dy ligjeve. Fushata informuese është shtrirë dhe detajet e nevojshme vazhdojnë të ofrohen në të gjithë territorin. Ne marrim parasysh planet e Qeverisë së Kosovës për të integruar shërbimet, zbatimin e ligjit, institucionet shëndetësore dhe arsimore brenda kornizës së Kosovës për t’u harmonizuar plotësisht me marrëveshjet e mëparshme të dialogut dhe marrëveshjet e tjera dhe angazhimet e BE-së”, deklaroi Sørensen.

Në takim ishte I pranishëm edhe ambasadori i Bashkimi Evropian në Kosovë, ku tha se gjatë javëve të fundit janë zhvilluar bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës dhe se tashmë ekziston një dakordim për zbatimin e ligjit, me disa hapa shtesë thelbësorë.

“Shpresojmë shumë që të gjitha ato çështje të brendshme të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të ecim përpara me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Por para së gjithash, sot në takim u përqendruam në zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt. Diskutuam për zbatimin, të cilin do ta fillojmë nesër. Kemi pasur bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit dhe sot ka dakordim për zbatimin e Ligjit për të Huajt me hapa shtesë thelbësorë, para së gjithash sa i përket procesit të regjistrimit të serbëve të Kosovës dhe lejeve të qëndrimit të përkohshëm”, tha Aivo Orav, Ambasadori I Bashkimit Evropian në Kosovë.

Nga pushteti lokal qeveria e Kosovës do të pajiset me listat e stafit akademik dhe shëndetësor për t’u dhënë leje të përkohshme qëndrimi 12-mujore, ndërsa e njëjta procedurë do të vlejë edhe për studentët e huaj./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale