Në QKUK kryhen me sukses dy operacione të rralla

18:13 | 23 Shtator 2025
E.G

Në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), prof. dr. Alban Y. Neziri ka kryer me sukses dy operacione të rralla tek pacientet me sindromën Mayer-Rokitansky-Küster-Hauser (MRKH), duke shënuar një hap të rëndësishëm historik për shëndetësinë në vend dhe Ballkan, njofton QKUK.

Këto ndërhyrje kirurgjikale, të realizuara për herë të parë në Kosovë dhe në rajon, u kryen në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin e Klinikës, dr. Zef Ndreaj dhe stafin profesional të Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientet e operuara vuajnë nga aplasia e mitrës dhe vaginës, një anomali kongjenitale që pengon zhvillimin normal të organeve gjenitale gjatë fazës embrionale.

“Operacioni u realizua me krijimin e një neovagine sipas metodës Wharton-Sheares-George, një teknikë e specializuar që ofron mundësinë për përmirësimin e cilësisë së jetës tek pacientet. Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të shërbimeve shëndetësore në vend dhe hap perspektiva për trajtime të mëtejshme në qendra evropiane të specializuara, përfshirë mundësinë e transplantimit të mitrës në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Prof. Dr. Alban Y. Neziri, pas realizimit të operacioneve, theksoi: “Ky është një hap historik për shëndetësinë në Kosovë. Jam i nderuar që së bashku me kolegët e QKUK-së, dhe veçanërisht me bashkëpunimin e ngushtë të drejtorit të klinikës, Dr. Zef Ndreaj, patëm mundësinë të realizojmë me sukses këto ndërhyrje të ndërlikuara tek pacientet, të cilat u japin atyre një perspektivë të re për jetën dhe shëndetin e tyre. Ky sukses tregon se me bashkëpunim dhe përkushtim profesional mund të arrijmë standarde të reja në mjekësinë tonë”.

QKUK ka shprehur mirënjohje të veçantë për prof. dr. Nezirin dhe gjithë stafin e Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtyre ndërhyrjeve të ndërlikuara.

Shpërndaje në rrjete sociale