Në finalen e turneut në Gjonaj të Hasit, Kurti premton më shumë mbështetje për sportin

16:52 | 21 Qershor 2026
D.H

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë mbrëmë në natën finale të turneut tradicional të futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit”, që u mbajt në Gjonaj të Hasit.

Me këtë rast, Kurti tha se organizime të tilla përfaqësojnë akte kujtese dhe mirënjohjeje për dëshmorët, duke vlerësuar se ato kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe promovimin e vlerave tek brezat e rinj.

“Organizimet e këtilla janë dëshmi që sakrifica e brezave të tërë vazhdon të jetojë në vetëdijen kolektive të shoqërisë e të popullit tonë dhe të promovojë vlerat e shëndosha për brezat e rinj”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi rëndësinë e sportit, veçanërisht futbollit, si sporti më i popullarizuar në vend, duke e cilësuar atë si një mënyrë efektive për të nxitur aktivitetin fizik tek të rinjtë në kohën e dominimit të teknologjisë dhe rrjeteve sociale.

Sipas Kurtit, sporti është edukim, disiplinë dhe përkushtim që bashkon njerëzit dhe forcon komunitetin.

Kryeministri po ashtu premtoi mbështetje institucionale për aktivitete të ngjashme sportive, duke thënë se përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdohet mbështetja për turne, gara dhe iniciativa që promovojnë jetën e shëndetshme, konkurrencën e ndershme dhe angazhimin e rinisë në komunitet.

Turneu tradicional “Java e Dëshmorëve të Hasit” organizohet çdo vit në nderim të dëshmorëve dhe mbledh sportistë e qytetarë nga zona të ndryshme të Kosovës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale