Ndalohen tre persona për veprën penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’ në Fushë Kosovë

16:36 | 13 Prill 2026
E.H

Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti i Përgjithshëm, njofton se janë ndaluar tre persona me inicialet B.S., V.S. dhe S.S., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ”Lëndim i lehtë trupor”, sipas nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dyshimeve fillestare, rreth orës 17:00, në fshatin Vragoli, Komuna e Fushë Kosovës, pas një mosmarrëveshje verbale ndërmjet palëve, ka eskaluar një përleshje fizike, ku janë përdorur mjete të rrezikshme, përkatësisht thika dhe shkopinj druri, me ç’rast disa persona kanë pësuar lëndime trupore.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre do të ndërmerren veprime të mëtejshme procedurale në përputhje me ligjin. Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në trajtimin e rasteve të tilla dhe në garantimin e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale