Ajri i ndotur në Prishtinë, kohëve të fundit është bërë problem për shëndetin e shumë qytetarëve. Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që nga nesër ta ndalojë qarkullimin në rrugët kryesore në qendër të kryeqytetit. Por, njohësit e çështjeve të mjedisit dhe urbanizimit thonë se këto masa vetëm do të shkaktojnë kaos dhe se nuk do ta zgjidhin problemin.
Prishtina është bërë njëri nga qytetet me ndotjen më të lartë në botë. Me qëllim të uljes së nivelit të ndotjes së ajrit, Komuna e Prishtinës së bashku me Qeverinë, kanë marrë një vendim që në qendër të kryeqytetit që nga nesër të ndalohet qarkullimi i veturave.
Por, çfarë presin njohësit e çështjeve të mjedisit dhe arkitektët nga këto masa?
Sipas tyre, ndalimi i veturave vetëm se do të shkaktojë kaos në vend, pasi ky vendim nuk do të parandalojë ndotjen e ajrit.
Në një prononcim për Express, arkitekti Arbër Sadiki tha se këto vendime të shpejta nuk janë për t’u lavdëruar dhe nga ndalimi i qarkullimit të veturave nuk do të ketë ndonjë rezultat pozitiv.
“Këto lloj vendime si shumë të shpejta, që ndikojnë direkt në jetën e secilit qytetar, nuk janë shumë për tu lavdëruar. Ne të gjithë jemi të brengosur me cilësinë e ajrit, por nuk mendojmë se ndotësit kryesorë janë makinat, nuk ka me pas ndonjë ndikim kumeditë sa rrënjësor, nëse ndalohet qarkullimi i tyre. Prej vet faktit që ne kemi ardhur në këtë moment me ndalu qarkullimin e makinave e që nuk e kemi zgjidh me gjithë ato plane strategjike, tani vetëm se do të shkaktojnë probleme dhe nuk do të jep rezultate të mira” thotë Sadiku.
Sipas tij, ndotësi kryesor është termocentrali, dhe jo qarkullimi i makinave.
Njohësi i çështjeve të mjedisit, Behxhet Mustafa po ashtu thotë se kjo iniciativë nuk do të ketë sukses.
“Opinioni është jashtëzakonisht i shqetësuar por, mendoj që kjo iniciativë nuk do të ketë sukses. Jemi të ngutshëm, nganjëherë e lëmë që problemet të qëndrojnë gjatë. Nuk është zgjidhje ndalimi i veturave se do të bëhet kaos, dhe vetëm do të shkaktojë ”, u shpreh Mustafa.
Komuna e Prishtinës me qëllim të uljes së nivelit të ndotjes së ajrit, ka marrë vendim që të ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës nga ora 06:00 deri në orën 22:00.
Nënkryetari Selim Pacolli se rrugët kryesore që lidhen me qendrën e qytetit nuk do të jenë të qarkullueshme në këtë interval kohor, përveç automjeteve të transportit publik, atyre emergjente, automjeteve të Policisë së Kosovës, FSK-së, të misioneve diplomatike, KFOR-it, EULEX-it, drejtorisë së Inspeksionit, taksive të licnecuara dhe atyre automjeteve për bartjen e personave me aftësi të veçanta të cilat mbajnë shenjë identifikuese.
“Transporti i udhëtarëve nga Trafiku Urban në këtë kohë do të bëhet pa pagesë që financohet nga qeveria e Kosovës. Nuk e kemi parapa vendosjen e parkingjeve, kërkojmë të kemi mirëkuptim pasi ne nuk garantojmë parkingje, garantojmë vetëm që veturat të mos qarkullojnë në qendër”, theksoi Pacolli.
Komuna e Prishtinës, gjithashtu ka ndaluar edhe përdorimin dhe shitjen e thëngjillit.
Një ditë më parë, Pacolli gjatë një konference kishte deklaruar që veturat që vinë nga jashtë qyteti të vendosen në tri zona në dalje të Prishtinës, Hajvali, Zona Industriale e Shkabaj./Gazeta Express/
Suedia do të ndërpresë gradualisht ndihmën zhvillimore për 5...
LDK sot mban konferencë për media
Parashikimi i motit për sot
Aksident i rëndë në Tiranë, vdes 38-vjeçari
Edi: Dolce në Itali e ka Grande Fratello, këtu e ka Grande A...
Rubio kritikon BE-në për gjobën ndaj platformës X