Naim Murseli dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

13:49 | 21 Prill 2026
E.H

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me burg të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën.

Kushtrim Kokallën me 30 vjet.

Vendimi:

Andaj, Gjykata në bazë të dispozitave ligjore, të akuzuarit i gjykon: Naim Murselin dhe Granit Plava iu shqipton me burg të përjetshëm. Të akuzuarin Kushtrim Kokalla e dënon me burg 30 vite,

Sot me datë 21 prill 2026, shpall këtë aktgjykim: I akuzuari Naim Murseli me të dhëna si në shkresat e lëndës, është fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje vrasje e rëndë. I akuzuari Granit Plava është fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje, vrasje e rëndë. I akuzuari Granit Plava është fajtor për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll të armëve. I akuzuari Kushtrim Kokalla është fajtor për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale, vrasje e rëndë nga neni 173.

Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava, janë dënuar me burg të përjetshëm.

Vendimi është shpallur ditën e sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare, për të tre të akuzuarit për vrasjen që ndodhi në nëntor të vitit 2023, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është argumentuar që të akuzuarit janë marrë vesh për vrasjen e Ademajt.

Burgim të përjetshëm për të akuzuarit ka kërkuar edhe familja Ademaj. Vëllai i Liridonës Leonardi, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar për planifikimin e vrasjes.

Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.

I gjithë plani për vrasjen, sipas aktakuzës, është bërë nga bashkëshorti i viktimës, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare dhe martesore, për të cilin shkak edhe ka lindur dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë theksohet po ashtu se plani për vrasjen e Liridona Ademajt fillimisht i është shpalosur Kokallës, i cili më pas e ka gjetur Plavën dhe e ka njoftuar atë me Murselin.

E vetë Naim Murseli, sipas aktakuzës, e ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, me të cilën e ka kryer vrasjen.

Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në tre vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.

Aktakuza e ngarkon Murselin se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.

Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me Plavën, i cili akuzohet se ishte dorasi.

Plava akuzohet se kishte vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.

Shpërndaje në rrjete sociale