Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që, përveç dy seancave të planifikuara për nesër, një tjetër të mbahet të hënën.
Ajo njoftoi se gjatë ditës së nesërme, përveç seancës solemne kushtuar mikut të madh të Kosovës, Eliot Engel, do të mbahet edhe një seancë tjetër, në të cilën, përveç shqyrtimit të projektligjeve të rëndësishme dhe ratifikimit të marrëveshjes për Bordin e Paqes, do të zhvillohet edhe procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bordit të RTK-së dhe Këshillit të Pavarur të Mediave.
Ndërkaq, sipas saj, në seancën e së hënës, përveç shqyrtimit të disa projektligjeve, pritet të vendoset edhe për Bordin e AKP-së, anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, si dhe për dy projektligje të propozuara që kanë të bëjnë me energjinë elektrike.
Nagavci theksoi se këto projektligje, të cilat janë pjesë e Planit të Rritjes, do të procedohen fillimisht në lexim të parë në seancën e nesërme, me qëllim që të finalizohen në seancën e së hënës. Sipas saj, këto iniciativa ligjore pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e sektorit të energjisë elektrike në vend.
Ajo shtoi se Lëvizja Vetëvendosje janë të interesuar që të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja.
Nagavci është distancuar sërish nga gjuha ofenduese dhe seksiste e deputetit të Guxo-s, Fatos Geci, dhe dënoi deklaratat e tij, i cili kishte uruar burgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi, që aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë.
“Aktivisht, menjëherë pas fjalimit të deputetit Geci në Kuvend, si kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje mora fjalën dhe u distancova nga gjuha e përdorur. E ritheksova qëndrimin tonë të njohur se Lëvizja Vetëvendosje respekton dhe nderon vlerat e luftës së drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe beson se Gjykata Speciale është një padrejtësi ndaj Kosovës”, deklaroi Nagavci.
Ajo shtoi gjithashtu se qëndrimet e deputetit Geci janë personale dhe nuk janë ndikuar nga askush.
Nagavci u distancua edhe nga gjuha seksiste e përdorur nga Geci ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku.
“Sa i përket deklaratës së tij seksiste ndaj deputetes Çitaku, natyrisht që e dënojmë një gjuhë të tillë, si këtu ashtu edhe në Kuvend. Synimi ynë është që si shoqëri të mos lejojmë përdorimin e një gjuhe të tillë në asnjë rrethanë dhe askund. Këto mbeten deklarata individuale të deputetit Geci”, theksoi Nagavci./rtk
BE-ja miraton zyrtarisht kredinë për Ukrainën dhe paketën e ...
Kuvendi nesër mban dy seanca
Mbahet seanca ndaj të akuzuarës për spiunazh Jelena Gjukanov...
Sonte Trepça-Peja, përballje e zjarrtë në gjysmëfinale të pl...
Ushtarët çekë, moldavë dhe italianë të KFOR-it patrullojnë n...
Rasti “Banjska”: Gjykata shpall nesër aktgjykimin nën masa t...