Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se të premten, më 24 prill, do të shpallet aktgjykimi për rastin “Banjska”, nën masa të shtuara sigurie.
Seanca e shpalljes së aktgjykimit do të nisë në orën 15:00.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria Speciale e Kosovës javën e kaluar kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët kanë mohuar akuzat.
Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
Tre të akuzuarit janë pjesë e 45 personave të përfshirë në aktakuzën e ngritur një vit pas sulmit në Banjskë, të cilin autoritetet në Kosovë e cilësojnë si akt terrorist dhe për të cilin fajësojnë Serbinë.
Ndërkohë që pritet shpallja e aktgjykimit, më 17 prill autoritetet në Kosovë njoftuan për arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në këtë sulm. Ai u arrestua në Merdare dhe, sipas ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, bëhet fjalë për Stefan Radulloviq, i cili u përshkrua si “edhe një i dyshuar për terrorizëm, në kërkim, në lidhje me sulmin në Banjskë të Zveçanit, me synim aneksimin e veriut”.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë, të cilët ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë këtë kërkesë, duke e cilësuar si të pabazuar.
Në total, 42 të dyshuar akuzohen për terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq përballet edhe me akuza për lehtësim dhe financim të terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.
Forcohet koordinimi doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë
Intervistohet dhe lirohet nga Policia profesori që eksperime...
Princi Harry vizitë në Kiev, kërkon nga Putini të ndalë luft...
BE-ja miraton zyrtarisht kredinë për Ukrainën dhe paketën e ...
Kuvendi nesër mban dy seanca
Mbahet seanca ndaj të akuzuarës për spiunazh Jelena Gjukanov...