Naftëtarët nuk i përfillin udhëzimet e Qeverisë

09:02 | 2 Qershor 2015
Arbresh.info

Analistët e ekonomisë thonë se kompanitë oligarkike të derivateve të naftës me mos-instalimin e arkave fiskale po e blejnë kohën, duke krijuar mjegull se ato janë të shtrenjta.

Sipas tyre, me këto veprime ato biznese milionëshe po i shmangin miliona euro para, duke mos ia paguar detyrimet shtetit, ndërkohë që bizneset e vogla shumica e tyre kanë arka fiskale.

Andaj, me qëllim që procesi i fiskalizimit të përshpejtohej, ministri i Financave, Avdullah Hoti, rreth një muaj më parë me nënshkrimin e tij ka fuqizuar UA nr. 01- 2015. Por, edhe përkundër ndryshimeve në letër që ky Udhëzim Administrativ ka sjellë, në terren procesi i fiskalizimit është në një bllokadë totale dhe kjo vlen edhe për shitësit e derivateve të naftës, shkruan Ksovasot.

Se nuk ka ndonjë interesim e tregojnë edhe shifrat zyrtare nga Doganat e Kosovës, ku shihet se që nga data 1 prill e deri më tani në Doganat e Kosovës janë regjistruar si të importuara vetëm 70 pajisje fiskale. Se nuk ka interesim të bizneseve për fiskalizim e kanë konfirmuar edhe nga Shoqata e Operatorëve të Licencuar për Arka Fiskale. Kestrin Kumnova, nga kjo shoqatë, ka deklaruar se gjendja në terren që nga hyrja në fuqi e Udhëzimit të ri Administrativ nuk ka ndryshuar.

Shpërndaje në rrjete sociale