Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të enjten se zbatimi i deritashëm i MSA-së ka dhënë rezultate pozitive, por se liberalizimi i vizave do t’i jepte një impuls shumë më të fuqishëm shkëmbimeve ekonomike me vendet e BE-së.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Tonino Picula, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në mbledhjen e tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj dhe shefja e Zyrës së BE-së/përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, u diskutua për progresin e Kosovës në fusha të ndryshme, duke përfshirë rezultatet e arritura në implementimin e MSA-së.
Kryeministri Mustafa, i njoftoi parlamentarët evropianë për të arriturat dhe reformat e shumta që po ndërmerren në Kosovë, me theks të posaçëm në zhvillimin e qëndrueshëm ekomomik, uljen e papunësisë, rritjen e mirëqenies sociale, sundimin e ligjit dhe avancimin e rrugës integruese evropiane.
“Zbatimi i deritashëm i MSA-së ka dhënë rezultate pozitive, por se liberalizimi i vizave do t’i jepte një impuls shumë më të fuqishëm shkëmbimeve ekonomike me vendet e BE-së, duke eliminuar barrierat me të cilat ballafaqohen ndërmarrësit tanë aktualisht për pajisje me viza, në mënyrë që të shfrytëzojnë edhe më shumë mundësitë që krijon MSA-ja”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar përkrahjen e parlamentarëve evropianë në gjetjen e alternativave për tejkalimin e kësaj situate.
Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian nga të gjitha grupet parlamentare u interesuan për aspekte të ndryshme të zhvillimeve në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e tyre unanime për MSA-në që nga nënshkrimi i saj dhe në fazat aktuale të zbatimit të saj.
Parlamentarët evropianë, po ashtu, theksuan përkrahjen për progresin dhe proceset e ndryshme reformuese që po ndodhin në Kosovë.
Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër nga nesër lëshohet për qark...
“Po du me të këqyr”, Klodi skuq Benitën
Përplaset për vdekje këmbësori në Krujë, shoqërohet në komis...
Ushtria amerikane: Tetë të vrarë nga sulmet e fundit ndaj an...
“E mallkoj ditën kur jemi takuar”, Londrimi ngacmon Edin dhe...
Bislimi publikon letrën nga BE: Komisioni ka vendosur për he...