Murati: Rama po nënshkruan kontrata milionëshe pa buxhet në stilin “aksham-pazar”

13:25 | 30 Qershor 2025
A Z

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar kryetarin e Prishtinës Përparim Ramën dhe partinë e tij Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për bllokim të qëllimshëm të procesit të buxhetit komunal dhe për nënshkrim të kontratave pa mbulim ligjor.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka theksuar se për shkak të bllokimit të konstituimit të Kuvendit nga opozita, nuk ka mundur të bëhet as ndryshim-plotësimi i Ligjit të buxhetit, që do të përfshinte buxhetet e tri komunave që janë vonuar në miratimin e tyre.

Sipas tij, një nga këto komuna është edhe Prishtina.

“Pra kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK-ja, e cila duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit, po e vonon edhe plotësimin e Ligjit të Buxhetit, për ta përfshirë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës si pjesë përbërëse”, ka shkruar Murati.

Ai ka akuzuar Ramën dhe LDK-në se pavarësisht që buxheti i Komunës ende nuk ka hyrë në fuqi, janë nënshkruar kontrata dhe janë shpallur tenderë milionësh “pa kurrfarë mbulese”, duke shkelur kështu sipas tij Ligjin për financa publike dhe Ligjin për prokurim publik.

“Për këto shkelje do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre”, ka thënë Murati.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme