MPJD: Do të shfrytëzojmë të gjitha kanalet diplomatike që Spahiu të lirohet sa më parë, kemi njoftuar QUINT’in

11:49 | 11 Qershor 2025
E.G

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shkruar sërish rreth arrestimit të Arbnor Fatmir Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Në njoftim thuhet se Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen e tij, duke u kthyer nga Austria, shkruan Arbresh.info.

Më 9 qershor, rreth orës 20:00, ai doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Aktualisht, z. Spahiu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.

“Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij.”, thuhet në njoftim.

MPJD bën të ditur se Ambasadori Jashari, bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e  Spahiu, Arianit Koci, do të udhëtojnë më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish  Jashari tek Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.

Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës të marrë fund, dhe që z. Spahiu të lirohet sa më parë.”, thuhet në njoftimin e MPJD-së./Arbresh.info/