Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka dhënë përgjigje zyrtare për Dukagjinin lidhur me protestën e paralajmëruar të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, e cila pritet të mbahet më 13 dhjetor në Shkup.
Në përgjigjen e dërguar nga MPB, institucioni sqaron se formimi i Shtabit Operativ nuk është një masë e jashtëzakonshme, por një procedurë standarde që zbatohet për çdo tubim publik të shkallës së gjerë.
Sipas tyre, të gjitha masat e nevojshme do të zbatohen sipas ligjeve dhe akteve nënligjore për të garantuar një protestë të sigurt dhe pa incidente.
“Lidhur me kërkesën Tuaj, Ju informojmë se për protestën e paralajmëruar më 13.12. do të formohet një Shtab Operativ, që paraqet procedurë standarde për çdo tubim të lajmëruar qytetar në shkallë më të gjerë. Në Shtabin Operativ marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha njësitë organizative pranë Byrosë për Siguri Publike të cilët veprojnë në mënyrë operative për ngjarjen”.
“Të gjitha masat e sigurisë do të zbatohen në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, me qëllim që të sigurohet mbarëvajtja e sigurt dhe e papenguar e tubimit publik”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Dukagjinin.
Kjo përgjigje vjen kur organizatorët e protestës – organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – kanë reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit maqedonas Dimitar Mickoski për formimin e “shtabit të krizës”, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe nxitëse të tensioneve.
Organizatorët kanë theksuar se protesta e 13 dhjetorit do të jetë paqësore, gjithëpërfshirëse dhe pa prapavijë politike, ndërsa u kanë bërë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut të mos politizojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për tubim.
Ndërkohë, kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se protestuesit posedojnë lejet e nevojshme nga autoritetet maqedonase dhe ka shprehur bindjen se tubimi do të zhvillohet pa incidente, duke nënvizuar se qëllimi i vetëm është thirrja për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Protesta pritet të fillojë në orën 13:00 në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
LEXO EDHE:
OVL i reagon Miskoskit për ‘shtabin e krizës’: Protesta në Shkup do të jetë paqësore
Kurti: Qendra Multifunksionale në Podujevë ka vlerën prej af...
Kosovës iu referua si “Metohia”, VLEN: Korrigjohen gabimet n...
Begaj uron kreun e ri të SPAK-ut: Përgjegjësi e lartë dhe mi...
Rama përgëzon Brahon pas zgjedhjes së tij si drejtues i SPAK...
Faton Peci lë postin e ministrit, falënderon Kurtin dhe ferm...
KPK-ja anulon procesin e rekrutimit të prokurorëve