Moti i nxehtë në Kosovë, 9 vatra aktive zjarri

22:14 | 13 Gusht 2025
E.G

Zjarret masive kanë përfshirë Kosovën, vendet e rajonit, si dhe vendet tjera të Evropës. Në vendin tonë, sipas Agjencisë së menaxhimit të Emergjencave, momentalisht janë nëntë vatra aktive.

Mbi 633 zjarre janë raportuar vetëm gjatë javës së fundit, u tha në një konferencë të përbashkët për medie të Agjencisë së menaxhimit të Emergjencave dhe policisë së Kosovës. Aty ndër tjerash u tha se momentalisht janë nëntë vatra aktive dhe po punohet që edhe ato të shuhen plotësisht.

“Gjatë kësaj jave, situatë më e rënduar, ka qenë në fshatrat, Kqiq i Vogël, Zasellë, Meshinë, Tygjevc, Mërdare, Orllan, ku është rrezikuar seriozisht jeta e njerëzve dhe infrastruktura private dhe shtetërore”, tha Genc Metaj, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.

Nga policia bënë të ditur që deri më sot janë arrestuar 23 persona ndërsa janë iniciuar 193 raste.

“Apelojmë te të gjithë qytetarët që të kenë kujdes gjatë shëtitjes në natyrë, sidomos të mos shkaktojnë zjarre, ndërsa ftoj që të kontribuojnë që gjatë kësaj kohe, me temperatura të larta, të kontribuojnë në sigurinë e natyrës”, tha nënkolonel Jeton Rexhepi, nga Policia e Kosovës.

Në konference u tha se marrë parasysh që vendi është duke u përballur me zjarre të shumta në gjithë territorin e vendit është duke u bërë përpjekje për menaxhim të situatës.

Shpërndaje në rrjete sociale