Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka reaguar ndaj përpjekjeve për të zëvendësuar kontratat aktuale të punës të mësimdhënësve të arsimit parauniversitar në komunën e Vushtrrisë.
Në një komunikatë për media, SBASHK njofton se kontratat e reja që po kërkohet të nënshkruhen janë në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 10/2015, i cili është ende në fuqi dhe garanton më shumë të drejta për mësimdhënësit sesa versioni i ri i propozuar.
“Sindikata apelon te mësimdhënësit që të mos nënshkruajnë kontrata të reja pune.
Ditët e fundit, në komunën e Vushtrrisë është rishfaqur kërkesa për nënshkrimin e kontratave të reja të punës, pavarësisht se mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar tashmë kanë kontrata pune me afat të pacaktuar. Versioni i Kontratës së re është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 10/2015, që është në fuqi dhe ka më pak të drejta të precizuara, krahasuar me Kontratat që kanë punëtorët e Arsimit Parauniversitar,” thuhet në reagim.
SBASHK i ka drejtuar një thirrje publike komunës së Vushtrrisë që ta ndalë këtë praktikë, të cilën e konsideron të gabuar dhe si formë presioni ndaj stafit arsimor.
“SBASHK kërkon nga komuna e Vushtrrisë që menjëherë të ndalë këtë praktikë të gabuar dhe presionin ndaj mësimdhënësve, si dhe u bën thirrje të gjitha komunave tjera që të mos ndjekin këtë shembull të dëmshëm, i cili bie ndesh me të drejtat e garantuara të punëtorëve,” thuhet tutje në komunikatë.
Sindikata gjithashtu nënvizon se çdo tentim për të imponuar kontrata të pafavorshme është shkelje e Kodit të Punës dhe sjell pasoja ligjore për punëdhënësit.
“Njëkohësisht, apelojmë te të gjithë anëtarët tanë, që kanë kontrata me afat të pacaktuar, të mos nënshkruajnë këto versione të reja të kontratave, edhe në rast se ndihen të presionuar nga punëdhënësit. Kujtojmë se çdo formë presioni për nënshkrim kontrate të pafavorshme përbën shkelje të Kodit të Punës (Ligji Nr. 03/L-212), e cila mund të sjellë pasoja ligjore për punëdhënësin. Çdo rast i tillë mund dhe duhet të raportohen në SBASHK për trajtim institucional,” përfundon njoftimi.
Shpërthimi i ‘etheve afrikane të derrave’ në Spanjë mund të ...
Ardian Kastrati i bashkohet AAK-së, garon për deputet
Veç gjashtë parti kanë dorëzuar listat me kandidatë për depu...
“Makazze” shkruan histori, NAVI siguron play-offin
Vdes nëna e kryetarit të Shtimes, Qemaj Aliut
Shaqiri realizon gol në fitoren e Baselit