Miratohet Udhëzimi administrativ për taksat gjyqësore

14:34 | 9 Janar 2026
R J
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, njofton opinionin publik se miratimi i Udhëzimit administrativ për taksat gjyqësore është bërë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe në përmbushje të mandatit kushtetues dhe ligjor të këshillit. Ky rregullim ka për qëllim garantimin e qasjes efektive në drejtësi, përmes lirimit nga pagesa e taksave gjyqësore të kategorive që, për shkak të rrethanave sociale, ekonomike apo statusit të veçantë, gëzojnë mbrojtje të shtuar, me përjashtim të çështjeve me karakter monetar.

Për të garantuar qasje efektive në drejtësi, Adhëzimi administrativ ka përcaktuar dy kategori të lirimit nga pagesa e taksave gjyqësore:

Kategorinë e personave dhe kategorinë e parashtresave.
Lirimi nga pagesa e taksave është paraparë si përgjigje ndaj rrethanave sociale, ekonomike dhe statusit të veçantë të personave që duhet të gëzojnë mbrojtje të shtuar, por edhe si masë balancuese ndaj rregullimit të tarifave, në përputhje me standardin jetësor në Kosovë.

Në kuadër të kategorisë së personave, nga pagesa e taksave gjyqësore janë liruar nga taksat:

  1. Shfrytëzuesit e asistencës sociale;
  2. Familjet e dëshmorëve dhe të personave të zhdukur gjatë luftës;
  3. Invalidët dhe veteranët e luftës;
  4. Familjet e viktimave civile të luftës;
  5. Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës;
  6. Personat me aftësi të kufizuara, përfshirë personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër, si dhe
  7. Personat që gëzojnë të drejtën për ndihmë juridike falas.

Po ashtu, nga pagesa e taksave gjyqësore lirohen institucionet shtetërore, si dhe personat në gjendje të rëndë ekonomike, të cilët dëshmojnë se pagesa e taksës do të rrezikonte drejtpërdrejt ekzistencën e tyre ose të familjes.

Në kategorinë e parashtresave, udhëzimi ka liruar nga taksat gjyqësore gjithsejtë 26 parashtresa të liruara nga pagesa, ku krahasuar me udhëzimin e mëparshëm janë shtuar edhe 17 parashtresa të reja. Këto parashtresa kanë të bëjnë kryesisht me çështje familjare, sociale, të statusit personal dhe procedura përmbarimore, duke përfshirë kërkesat për alimentacion, mbajtje, besim të fëmijëve, si dhe parashtresat që ndërlidhen me mbrojtjen e kategorive të ndjeshme.

Duhet theksuar se ky Udhëzim administrativ është hartuar në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies dhe pas një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës të konsultimit publik, i cili është zhvilluar në dy faza. Gjatë këtij procesi janë pranuar komente nga shoqëria civile dhe komuniteti i avokatëve, të cilat janë shqyrtuar me kujdes dhe janë adresuar nga Komisioni për çështje normative i këshillit. Si rrjedhojë, ky udhëzim administrativ është rezultat i një analize të brendshme institucionale dhe konsultimeve profesionale, duke siguruar funksionim efikas të sistemit gjyqësor dhe menaxhim efikas të rasteve gjyqësore.

Ndryshe nga udhëzimi i mëparshëm, rregullimi aktual parasheh rishikim dhe rregullim të tarifave të taksave gjyqësore për Gjykatën Komerciale dhe për procedurat përmbarimore, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe trajtimit më të qëndrueshëm të këtyre procedurave.

Është me rëndësi të theksohet se që nga viti 2017 nuk ka pasur asnjë ndryshim në taksat gjyqësore, pavarësisht ndryshimeve të theksuara në standardin jetësor, zhvillimeve ekonomike dhe rritjes së kostove të sistemit gjyqësor. Për këtë arsye, rregullimi aktual është bërë me qëllim të përshtatjes me realitetin ekonomik dhe standardet aktuale në Republikën e Kosovës, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe duke pasur parasysh zgjerimin e ndjeshëm të kategorive të liruara nga pagesa e taksave gjyqësore.

Siç dihet, taksat gjyqësore të përcaktuara me këtë udhëzim derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe nuk përbëjnë të hyra të drejtpërdrejta për Këshillin Gjyqësor të Kosovës apo për gjykatat.

Në përputhje me parimin e transparencës, Udhëzimi Administrativ dhe tarifat për taksat gjyqësore publikohen në ueb-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe vendosen për informim publik në të gjitha gjykatat, në vende të dukshme dhe lehtësisht të qasshme për qytetarët, në mënyrë që secili të jetë i informuar paraprakisht për të drejtat dhe obligimet e tij para inicimit të çdo procedure gjyqësore.

Si rrjedhojë, rregullimi dhe unifikimi i taksave gjyqësore ka për qëllim qe të ndërtojë një sistem të drejtë, të barabartë dhe funksional të drejtësisë, në përputhje me standardin jetësor dhe realitetin ekonomik në Republikën e Kosovës dhe nuk ka për qëllim kufizimin e së drejtës për të iniciuar procedura gjyqësore, apo reduktimin e numrit të lëndëve në gjykata në mënyrë të pajustifikuar. Ky rregullim synon të ruajë balancën ndërmjet efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe mbrojtjes së qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.

Prandaj, nuk qëndrojnë pretendimet se taksat gjyqësore janë rritur në mënyrë të ndjeshme dhe kanë për qëllim zvogëlimin e numrit të lëndëve në gjykata, përkundrazi, me këtë Udhëzim administrativ është zgjeruar ndjeshëm lista e kategorive të liruara nga pagesa e taksave gjyqësore, si në aspektin e personave ashtu edhe të parashtresave, duke lehtësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë qasjen në drejtësi për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.