Ministrja Hoxha: Estonia përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën

17:12 | 16 Nëntor 2018

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u prit në takim nga Matti Maasikas, Zv. Ministër për Çështje evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku u diskutua rreth thellimit të bashkëpunimit dhe aktualitetit të çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim, të parashikuara me udhërrëfyesin të cilin e morëm më 2012, që nga ajo kohë, ne kemi punuar shumë që të gjitha kriteret të realizohen, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se tashmë pret përkrahje në këtë proces.

Ministrja Hoxha vlerësoi lartë Estoninë si vend që vazhdimisht ka përkrahur Kosovën në rrugën e saj integruese dhe pret që edhe më tej të kemi përkrahjen, në veçanti tash në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku do të vendoset për liberalizimin e vizave.
“Për vendin tonë, pas konfirmimit nga Komisioni Evropian se i kemi plotësuar të gjitha kriteret, është prioritet dhe domosdoshmëri liberalizimi i vizave. Në këtë drejtim, kërkoj mbështetjen e Estonisë dhe votën pro në Këshillin e Ministrave në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin të lirë dhe më në fund të jenë të barabartë me qytetarët e vendeve tjera fqinje”, theksoi Ministrja Hoxha.

“Zv. Ministri Matti Maasikas, e siguroi Ministren Hoxha se Estonia do ta mbështes me votë pro liberalizimin e vizave për Kosovën dhe theksoi se Estonia gjithnjë ka qenë përkrahëse e proceseve të rëndësishme për Kosovën sidomos kur bëhet fjalë për proceset integruese dhe përgëzoi Ministren Hoxha për punën dhe përkushtimin e saj për të avancuar drejt integrimit evropian të Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

 

Lajmet më të lexuara