Ministria e Sportit mbështetë Komitetin Olimpik me 180 mijë euro

19:32 | 5 Maj 2015
M. A.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mbështesë financiarisht Komitetin Olimpik të Kosovës me 180 mijë euro. Marrëveshja e bashkëpunimit mes MKRS-së dhe Komitetit Olimpik u nënshkrua sot. Kjo marrëveshje pritet të ndihmojë aktivitetet e Komitetit Olimpik për gjatë një viti olimpik. Nga të dyja palët, këto mjete u cilësuan si një lehtësim për Komitetin, pasi që u tha se mbështetja nga kjo ministri nuk ka munguar as më parë.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani tha se kjo mbështetje po vjen në kohën e duhur. Këtu ai përmendi disa nga aktivitetet e Komitetit, që siç tha ai janë shumë të rëndësishme.

“Padyshim se kjo është një mjet i cili do të lehtësojë përmbushjen e misionit që ka Komiteti Olimpik, posaçërisht në këtë vit që është vit kur lojërat europiane mbahen për herë të parë në Baku. Pas kësaj mbahet Festivali Olimpik për të Rinj. Mirëpo qysh në shkurt fillojnë Lojërat Dimërore, pastaj janë edhe Lojërat Olimpike në Rio 2016”, tha Hasani.

Këtë mbështetje, Hasani nuk e konsideron të vonuar. Ai tha se gjatë kësaj periudhe nuk kanë mbetur pa kryer aktivitetet e tyre për shkak të mungesës së këtij memorandumi. Megjithatë, ai bëri të ditur që ky memorandum bashkëpunimi i’u ofron më shumë hapësirë  për të bërë plane më konkrete dhe ua bënë punën më të lehtë.

E ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala këtë marrëveshje e cilësoi si finalizim të një pune të përbashkët të bërë gjatë muajve të fundit në mes të MKRS-së dhe Komitetit Olimpik.

“Kjo shumë nuk është shuma finale me të cilën do të mbështesim aktiviteteve Komitetit Olimpik sepse në bazë të legjislacionit, saktësisht rregullores për subvencionime si dhe politikave që ka departamenti i kulturës, departamenti i sportit, ne do të vazhdojmë të ndihmojmë sipas kërkesave dhe vlerësimeve që do të kemi, të gjitha aktivitetet e Komitetit Olimpik të Kosovës”, tha ai./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale