Mehaj përkujton Izbicën: Gjithmonë do kërkojmë drejtësi  

13:37 | 28 Mars 2023
Emir Abduramani

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kujtuar 24-vjetorin e masakrës së Izbicës, ku u vranë mbi 150 njerëz të pafajshëm.

Në Facebook, Mehaj ka shkruar se ky krim bëhet dyfish më i rëndë kur të masakruarit u zhvarrosën dhe tentuan t’i fshihnin provat.

“Në fshatin Izbicë të Skenderajt 24 vite më parë ndodhi njëra nga masakrat më makabre ndaj popullatës civile, në të cilën çetnikët serbë i vranë e më pas i masakruan mbi 150 civilë të pafajshëm. Krimi bëhet edhe më i rëndë kur të masakruarit u zhvarrosën nga paramilitarët serbë për t’i varrosur në lokacione tjera në Serbi dhe Kosovë, me këtë tentuan që masakrën e Ibicës ta fshihnin dhe provat t’i zhduknin, kaq larg shkon mendësia kriminale serbe”, ka shkruar Mehaj.

Ai theksoi se përkundër tentimeve të Serbisë për t’i fshehur krimet e kryera në Kosovë, “ne nuk harrojmë asnjëherë do të jemi gjithmonë këtu për të kërkuar drejtësi e për të përkujtuar martirët e dëshmorët tanë”.

“Gjenocidi në Izbicë nuk mund të fshihet! Lavdi martirëve të Izbicës!”, përfundoi Mehaj./arbresh.info