Ndonëse, në një konferencë për media, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza u shpreh i prerë se partia e tij nuk bën koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Postimi i kandidatit për deputet, Ardian Kastrati hodhi dyshime mbi një koalicion të mundshëm mes këtyre dy partive, të cilat dolën të parat në zgjedhjet e 9 shkurtit, por që sipas tij, pikërisht ai ishte shkak i prishjes së një koalicioni të mundshëm, shkruan Arbresh.info.
Edhe disa nga deklarimet e fundit pas takimit të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi me disa nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it, hedhin dyshime mbi një koalicion të mundshëm mes partive fituese.
Njohësit e çështjeve politike në vend nuk kanë shumë shpresa për një gjë të tillë.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Artan Muhaxhiri e sheh si të pamundur mundësinë e një koalicioni mes dy partive të para në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sa i përket mundësisë së një koalicioni mes VV-së dhe PDK-së, nga perspektiva ime, e shoh pothuajse të pamundur. Ashtu siç e kam thënë edhe më herët, çdo parti që hyn në koalicion me VV-në lirisht mund t’i fikë edhe dritat e zyrave të saj. Po ashtu, çdo deputet i zgjedhur që mendon se mund të joshet dhe të “kontrabandohet” në gjirin e VV-së, duhet të përshëndetet me karrierën e tij politike, sepse VV-ja nuk e ka më perceptimin që kishte në vitin 2021.Përkundrazi, në masë të madhe, perceptimi publik për VV-në ka ndryshuar për të keq”, shprehet ai.
Pamundësinë e këtij koalicioni e bazon edhe në deklaratat e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.
“Ata ishin kategorikisht kundër një koalicioni me VV-në, edhe sikur t’u ofrohej posti i kryeministrit”, shton ai.
Shpëtim për Kosovën, Muhaxhiri e konsideron një koalicion prej opozitës.
“Ajo që do të ishte më e mira për Kosovën në këtë moment, duke përfshirë edhe situatën tonë jo të favorshme me faktorët e jashtëm dhe ndryshimet gjeopolitike në botë – sidomos pas zgjedhjes së Donald Trump-it president i SHBA-ve – është një koalicion i opozitës. Ky do të ishte shpëtim për Kosovën. Çdo kombinim tjetër, ku VV-ja mbetet në pushtet, do ta bënte të ardhmen e vendit të pasigurt”, pohon Muhaxhiri.
Sadiku: Më i mundshëm një koalicion i VV-së me NISMA Socialdemokrate ose me LDK-në
Një bashkim forcash mes dy partive të para në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e sheh si të mundur as analisti tjetër politik, Arbnor Sadiku.
Ai paralajmëron mundësinë e një koalicioni mes LVV-së me NISMA-n, ose me LDK-në.
Megjithatë ai thotë se mbetet krijimi i qeverisë së pakicës nga LVV-së.
“Më parë po ka pasur një parapëlqim sidomos prej momentit qe ishin takuar, Kurti dhe Krasniqi për të caktuar datën e zgjedhjeve më parë, por tani si duket LVV i ka mbyllur derën PDK-së dhe AAK-së. Mund te jenë të hapur për bashkëpunim me NISMËN ose LDK-në, nëse bëhet koalicioni madh, por opsion fillestar mbetet krijimi i qeverisë së pakicës nga LVV”, thotë Sadiku.
Ndryshe, zgjedhjet e 9 shkurtit, e nxorën fituese partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) doli partia e dytë e votuar në Kosovë.
Bedri Hamza në një konferencë për media deklaroi se nuk do të pranonte një koalicion me VV-në për shkak të dallimeve të mëdha.
Ndërkaq, Albin Kurti, kryeministri në detyrë para mediave më 9 shkurt shpalli fitoren dhe tha se do ta formonte Qeverinë. Arbresh.info/Erolinda Gashi/
Ndërrimi i pushtetit në veri – Flamujt e fotografia e ...
Hetemi gati për ta dorëzuar mandatin e kryetarit të Leposavi...
Lista Serbe merr pushtetin në komunat në veri të Kosovës
Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Se...
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...