Mbyllet Asambleja e SEPCA-s në Vlorë, Drejtori i Policisë së Shtetit: Koha që Kosova të anëtarësohet me të drejta të plota

23:19 | 16 Dhjetor 2025
E.G

Asambleja e Dytë e Shoqatës së Shefave të Policisë së Evropës Juglindore (SEPCA) ka përmbyllur punimet në qytetin e Vlorës, duke shënuar fundin e presidencës së mbajtur nga Policia e Shtetit Shqiptar.

Takimi i nivelit të lartë mblodhi drejtorët e policive të rajonit për të diskutuar strategjitë e përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe sfidave të migracionit.

Në qendër të vëmendjes ishte edhe thirrja e fortë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për integrimin e plotë të Kosovës në këtë organizatë.

Sipas njoftimit për shtyp, gjatë diskutimeve, krerët e policive u dakordësuan se SEPCA duhet të funksionojë si një “sistem paralajmërimi i hershëm” për flukset e mundshme të migracionit të parregullt.

Temë qendrore ishte lufta kundër trafikimit të drogave të forta dhe goditja e grupeve kriminale me shtrirje ndërkombëtare. Pjesëmarrësit vlerësuan se shkëmbimi i informacionit dhe analizat e përbashkëta janë rruga e vetme për të pasur rezultate konkrete.

Mbështetja për Kosovën

Një moment I rëndësishëm i Asamblesë ishte prania e Drejtorit të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, në rolin e vëzhguesit. Ai garantoi homologët se Policia e Kosovës zotëron të gjitha kapacitetet operacionale dhe organizative për të qenë pjesë integrale dhe e barabartë e SEPCA-s.

Kjo kërkesë u mbështet edhe nga Drejtues Madhor Ilir Proda.

Gjatë ceremonisë, Proda theksoi nevojën reale që SEPCA ka për të pranuar Policinë e Kosovës si anëtare me të drejta të plota.

“Vetëm duke funksionuar si një organizëm i vetëm, pa barriera dhe pa ndasi, mund të fitohen betejat kundër krimit rajonal dhe atij ndërkombëtar,” u shpreh Proda.