Mbrojtja e Thaçit dhe e Fazliut nuk do të bëjnë deklarata hyrëse

13:20 | 5 Shkurt 2026
E.G

Gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçi për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë është caktuar të fillojë më 27 shkurt.

Mbrojtja e Thaçit, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon, ka bërë të ditur përmes një parashtrimi të datës 2 shkurt 2026 se nuk do të japë deklaratë hyrëse në fillim të gjykimit, duke rezervuar të drejtën për ta bërë këtë pas përfundimit të çështjes nga ana e Prokurorisë dhe para hapjes së çështjes së tyre.

Në të njëjtën mënyrë, mbrojtja e Fadil Fazliut, e përfaqësuar nga avokati David Young, ka njoftuar se nuk do të bëjë deklaratë hyrëse në fillim të gjykimit, por e rezervon të drejtën për të dhënë një deklaratë hyrëse pas përfundimit të çështjes nga ana e Prokurorisë dhe para hapjes së çështjes së tyre.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale