Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë ka thirrë mbledhjen korresponduese, (mbledhja elektronike), e 23-ta me radhë, në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë.
Vendimi i parë që ka marr miratimin e Qeverise në mbledhjen e sotme ka qenë Vendimi për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Republikës së Kosovës . Vendimi synon të racionalizoj shpenzimet e parasë publike për përdorimin e telefonave në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Me këtë vendim shfuqizohet Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 22.01.2008, si dhe pezullohen nenet ( 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 ) të Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Kosovës. Vendimi përcakton zyrtarët përfitues të telefonisë mobile dhe shumat e aprovuara që do të mbulohen nga buxheti. Gjithashtu vendimi përcakton edhe të drejtën dhe shumën e lejuar të harxhimeve edhe në telefonin fikse në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Pasi ka shqyrtuar, Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e fuqizimit të sektorit financiar. Projektligji i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Ka marr miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi me të cilin i kërkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës të bëjë ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, me ndryshimet dhe plotësimet e bëra. Vendimi obligon Ministrinë e Financave dhe Transfereve që brenda gjashtë (6) muajve nga kalimi i situatës së pandemisë të hartojë një plan afatmesëm brenda të cilit do të përshtat kufirin e tejkalimeve të përkohshme që do të autorizohen nga Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe t`i sjell ato në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
Kabineti qeveritar ka miratuar Nismën për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllim të sigurimit të financimit publik për përballimin e situatës së krijuar nga virusi corona (COVID 19), me Institucionet Ndërkombëtare Financiare, si në vijim:
· Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe anëtarët e tjerë të Bankës Botërore;
· Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim;
· Fondi Monetar Ndërkombëtar;
· Banka Islamike për Zhvillim;
· Agjensionet zyrtare për përkrahjen (financimin) e eksportimit; dhe
· Institucionet zyrtare financiare bilaterale të vendeve të jashtme ose të Bashkimit Evropian;
· Banka Evropiane e Investimeve.
Kufiri i përgjithshëm i autorizimit të dhënë sipas këtij vendimi për marrëveshjet financiare të huasë është dyqind e pesëdhjetë milion (250,000,000.00 €) ose ekuivalent, me afat të maturimit deri në pesëmbëdhjetë (15) vite dhe me normë të interesi jo më të lartë se tre (3 %) për qind.
Miratimin e Qeverisë kan marr edhe nismat për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Marrëveshjes financiare për IPA 2020, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Janë shqyrtuar dhe miratuar nga kabineti qeveritar edhe nismat për lidhjen e Marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për vitin 2019, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe Marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës, Malit të Zi për vitin 2019, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe Marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2019, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II mes Kosovës dhe Shqipërisë
Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare për Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës Çlirimtare të Kosovës, në shumë prej 161,650 euro, sipas kërkesës së Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, për përmbushjen e obligimeve ligjore të aktiviteteve për zbatimin e të cilave kërkohet mbështetje buxhetore./arbresh.info
Zarf i kuq për Elijonën në Big Brother VIP
Shkurte Fejza, Ylli Limani, Mozzik dhe qindra artistë në mbë...
Durmishi: Gjykata Speciale është e padrejtë dhe nuk do të du...
Pas shkarkimit të Lecit, Liria emëron Ismet Munishin në krye...
Aksident mes tri veturave në Klinë, lëndohen katër persona
Vdiqën tragjikisht në Itali, mblidhen mbi 75 mijë euro për k...