Mbillen disa fidanë para “Xhamisë së Madhe” në Prishtinë

18:16 | 5 Qershor 2015
M. A.

Me rastin e ditës ndërkombëtare të mjedisit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe Ministri i Ambientit, Ferid Agani, mbollën disa fidanë përpara “Xhamisë së Madhe” në Prishtinë.

Me këtë rast myftiu Naim Tërnava tha se mbjellja e simbolike e fidanëve i shtyn ata që të bëjnë thirrje për një kujdes më të madh për ruajtjen e ambientit.

“Edhe sot pas faljes së namazit të xhumasë në të gjitha xhamitë e Kosovës është ligjëruar për ruajtjen e ambientit por edhe një prej fondamenteve kyçe që i porosit Islami… Kjo ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të mirëfilltë mes Bashkësisë Islame dhe Ministrisë së Ambientit, me çka u kurorëzua edhe me mbjelljen e këtyre fidanëve, një mbjellje simbolike që neve na shtyn dhe na motivon dhe thërrasim edhe një herë që kudo që gjendemi të kushtojmë një kujdes edhe më të madh për ruajtjen e ambientit”, tha myftiu Tërnava.

Ndërkaq, Ministri i Ambientit, Ferid Agani, me këtë rast tha se Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit iu kanë bashkuar me veprime të shumta me të gjithë faktorët relevantë, si Qeveria, komunat etj.

“Siç e dini sot jemi duke shënuar 5 qershorin Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, një bashkëveprimi në përmasa globale të gjitha shteteve dhe popujve, iu kemi bashkuar me një bashkëveprim në përmasa të shtetit tonë, gjithë faktorëve relevant të cilët kanë të bëjnë me mjedisin në shtetin tonë siç janë institucionet shtetërore, Qeveria,komunat, organizatat joqeveritare deri te fëmijët, nxënësit, studentët, institucionet arsimore e në këtë rast edhe bashkësitë fetare”, tha Agani.

Më pas ai shtoi se populli shqiptar nuk e ka të vështirë që si popull të dëshmojë vlerat e veta qytetare dhe kulturën evropiane.

“Ne nuk e kemi shumë të vështirë si shtet si popull që të dëshmojmë se kemi vlera të larta qytetëruese, kulturë evropiane, kulturë të lartë qytetëruese sepse vlerat e pastërtisë vlerat e rendit vlerat e shëndetit i kemi brenda familjeve tona… vetëm duhet që këto t’i nxjerrim edhe në rrugë edhe në hapësirat publike”, shtoi Agani.

Sipas Ministrit Agani, ky ka qenë një aksion tejet i mirë, një bashkëveprim I cili do të vazhdojë edhe më tutje në mënyrë që si popull të shkohet rrugës së drejtë.

Shpërndaje në rrjete sociale