Mbi 7000 persona të diplomuar dhe pa punë

14:27 | 30 Maj 2015
M. A.

Tregu i punës në Kosovë është në një gjendje të rëndë. E më se shumti nga kjo gjendje preken studentët e Universiteteve publike edhe të kolegjeve të cilët vazhdojnë të diplomojnë, por shumica e tyre  mbesin pa punë.

Ndërkohë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka bërë ndonjë hulumtim për nevojat e tregut të punës.

Selami Krasniqin, nga komuna e Klinës, i cili ka përfunduar Fakultetin Juridik në Prishtinë në vitin 2010, por deri më tani nuk ka arritur që të gjejë një vend pune.

Ai në një prononcim për KosovaPress, ka folur për vështirësitë që po përballet për ta siguruar një vend pune si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Krasniqi thotë se përkundër rezultateve të mira në studime dhe mbi 60 trajnimeve të përfunduara nuk ka arritur të gjejë deri më tani një punë të përshtatshme.

“Kom apliku madje dhjetëra herë, mirëpo asnjëherë nuk kam marr ndonjë sukses në atë aplikim timin, madje as nuk më kanë thirr për intervistë lëre më për të më marr në punë”, tha Krasniqi.

Ndërsa, Hafiz Leka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se është në rritje numri i atyre që kanë përfunduar fakultetin e që janë të papunë.

“Kjo shifër është e madhe për neve. Ne llogarisim që kjo shifër është edhe më e madhe nëse e marrim në krahasim, p.sh nëse e marrim konsideratë, edhe ata të cilët nuk janë lajmëruar apo nuk lajmërohen për shkaqe ose arsyeje të ndryshme qoftë s’janë të motivuar ose mendojnë që s’mund të zgjidhen ndaj problem apo mendojnë që s’mund t’i ofrohet një mundësi administrative, p.sh që ata të jenë absorbues po mendoj si forcë e punës në tregun e punës etj”, tha Leka.

Leka shton se deri thash janë 6800 persona me fakultet në kërkim të një vendi të punës.

Ndërsa, Dugagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, tha se nëse i shikoni sipas kualifikimit nga të diplomuarit me arsim të lartë kemi diku rreth 15.5 për qind të pa punë.

“Mungesë të vendeve të punës ka për shkak të zhvillimit të dobët ekonomik. Pastaj është fakt se një pjesë e mirë e të rinjve nuk arrin që të punësohen për faktin se nuk posedojnë shkathtësi që i kërkon tregu i punës, dhe unë mendoj se këtu është zgjidhja që programet e arsimit të lartë, programet e shkollave profesionale të jenë pak më mirë të lidhura me tregun e punës”, tha Pupovci për Kp.

Në këtë mënyrë, sipas Pupovcit kur një i ri ta përfundojë shkollimin çfarë do niveli të qoftë ai, të jetë në gjendje të fillojë punën pa pasur nevojë për praktik ose trajnim.

“Me këtë shkallë të zhvillimit ekonomik që e kemi nuk të pritet ndonjë përmirësim radikal i situatës. Kjo sa i përket lidhshmërisë me të mirë të programeve mësimore me tregun e punës. Gjithsesi këtu ka rol edhe për asociacionet e bizneseve, odat ekonomike të cilat duhet të mundësojnë një lidhje më të mirë në mes të shkollave dhe të bizneseve”, tha Pupovci.

Ndryshe, dy fakultetet më tërheqëse për të rinjtë mbeten Fakulteti Ekonomik dhe ai Juridik të cilat për çdo vit nxjerrin me qindra të diplomuar.

Shpërndaje në rrjete sociale