Mbi 38 milionë euro në vit i kushtojnë shtetit veteranët e rrejshëm

00:06 | 18 Gusht 2018
Trina Galanxhi

Mbi 38 milionë euro vetëm brenda një viti i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 “veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka përfshirë në aktakuzën e tij prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.

Në aktakuzën të cilën e ka publikuar “Koha Ditore”, të nënshkruar nga tashmë ish-prokurori Blakaj, janë akuzuar 12 persona.

“Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, dhe Xhavit Jashari, dyshohet se si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë aktakuzë.

Procesverbalet dhe audioincizimet e mbledhjeve të këtij komisionit janë faktet kryesore në këtë aktakuzë.

Ish-prokurori Blakaj ishte bazuar në deklaratat e Sami Lushtakut, Rrahman Ramës, Avdi Rracit, Hysni Ngucatit, Spiro Butkës, Bujar Shalës.

Sami Lushtaku në vitin 2011 kishte qenë vetë pjesë e Komisionit. Mirëpo, dy vite më vonë kur ai ishte arrestuar për krime lufte, vendin e tij në këtë komision e kishte zënë kushëriri i tij, Nuredin Lushtaku.

Sipas aktakuzës askush deri në marsin e vitit 2016 nuk kishte dëgjuar për brigadën “Hasan Prishtina”.

“Me gjithë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje me komandantët e asaj brigade, një gjë e tillë nuk ishte arritur e po ashtu Faik Fazliu e konfirmon atë çfarë e thotë Nuredin Lushtaku, se kjo brigadë nuk ka ekzistuar fare”.

Në procesverbalin e takimit të Komisionit qeveritar, shumica e anëtarëve, sipas aktakuzës, janë të vetëdijshëm që numri aq i madh i veteranëve është mashtrim.

“Mund të debatojmë sa të doni, por numri i veteranëve ka dalë më i madh nga ajo që e kemi paramenduar. Ky numër nuk mund të zvogëlohet, e kemi kryer punën si e kemi kryer, dhe secili prej nesh e bart përgjegjësinë e vet”, citohet të ketë thënë tashmë i akuzuari Agim Çeku.

Ish-kryeministri Agim Çeku sipas procesverbaleve të cituara në aktakuzë hallin e ka që “më së shumti janë fryrë listat në Dukagjin” e kjo gjë mund të vërehet.

Megjithatë, sipas aktakuzës, me mënyrën se si po bëheshin listat nuk ishte pajtuar komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.

Kjo dëshmohet në një audioincizim që ish-prokurori Blakaj kishte për qëllim ta përdorte në Gjykatë.

Shumë aplikacione që kanë marrë statusin e veteranit të UÇK-së nuk kanë pasur fare nënshkrim të zinxhirit komandues, ndërsa ka pasur edhe fëmijë lufte, që tashmë janë shndërruar në veteranë të UÇK-së.

Janë regjistruar si ushtarë edhe personat që gjatë kohës së luftës kanë jetuar jashtë Kosovës.

KTV ka provuar të vejë konkat me disa nga personat e përmendur në aktakuzë, por kontakti me ta ka qenë i pamundur./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale