Mbi 2 mijë pacientë janë në pritje për stentim në Invazivën e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, ndërsa familjarët e të sëmurëve, alarmojnë se mungesa e stentave, po ua rrezikon jetën pacientëve, ndërsa theksojnë se nuk kanë mundësi për trajtim në sektorin privat për shkak të kostos së lartë. Ata u bëjnë thirrje institucioneve shëndetësore që të sigurojnë sa më shpejt furnizimin me stenta, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e pacientëve.
Mungesa e stentave në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë që mbi 2 mijë pacientë të shtohen në listën e pritjes për stentim. Merita Sopi nga Prishtina i tha Radio Kosovës se babai i saj, për herë të dytë është shtruar në spital, por ndërhyrja nuk është realizuar për shkak të mungesës së stentave.
“Gjendja e babait tim është shumë e rënduar, sepse 80% të venave i ka të mbyllura. Na jemi duke pritur deri sa të na lajmërojnë, sepse në klinikat private, ky lloj i intervenimit kushton 10 deri në 15 mijë euro, gjë që një pensionist, nuk i ka. I bej apel Ministrisë së Shëndetësisë që të marrin masa, sepse me të vërtetë dikush ka për t’u revoltuar. Zemra është një organ që nuk pret. Me këto kushte që janë në QKUK është mjerim me të vërtetë”, thotë Sopi.
Edhe një familjar tjetër shprehet se janë në pritje të furnizimit me stenta, pasi nuk kanë mundësi për trajtim privat.
“Mungesa e stentave është një ngarkesë e madhe si për pacientët si për familjarët, edhe janë të kushtueshme shumë. Tash edhe kriza ekonomike gjithherë po vjen duke u rrit. Në privat s’kemi mundësi ta dërgojmë”, thotë familjari i pacientit.
Ndërkohë, drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, kardiologu Faik Shatri, konfirmon për Radio Kosovën se ka mungesë të disa numrave të caktuar të stentave, por shton se situata është nën kontroll.
“Jemi në përfundim të kontratës paraprake dhe presim normalizimin aktual të furnizimit. Për disa numra të caktuar, kemi pasur mungesa, por disa ditë më parë, kemi marrë material edhe nga Prizreni, kështu që situata është nën kontroll. Asnjë pacient nuk është i rrezikuar”, thotë Shatri.
Ndërsa nga Drejtoria e QKUK-së, zyrtarja për informim, Mirlinda Qyqalla, i tha Radio Kosovës se shumë shpejt pritet të ketë furnizim me materialet e nevojshme, e në këtë rast edhe të stentave;
“Duke u bazuar në të dhënat e siguruara nga Barnatorja Qendrore, për mungesën e materialeve në Klinikën e Kardiologjisë, ju informojmë se kontratat për shumicën e materialeve të nevojshme për këtë klinikë tashmë janë nënshkruar. Gjithashtu, nga ana e Klinikës janë bërë kërkesat për furnizim me këto materiale”, thotë Qyqalla.
Nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës bëjnë të ditur se furnizimi me stenta pritet të realizohet brenda ditëve në vijim./rtk
Osmani kujton masakrën e Belegut ku u ekzekutuan 46 civilë s...
OVL UÇK dënon ekspozitën në shesh, organizojnë protestë të h...
REL: Siguria e Kosovës nën kërcënimin e raketave me rreze të...
Gucati: Ekspozita ka qenë fyerje për ne, falenderoj Ramën pë...
Gjendet vetura e raportuar si e zhdukur në Aeroportin e Pris...
Përzgjedhësi i Turqisë përballet me presione lidhur me forma...