Mbahet sot seanca gjyqësore për rastin “Banjska”

07:33 | 12 Qershor 2025
E.K

Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, do të zhvillohet seanca e radhës gjyqësore në lidhje me rastin “Banjska”, që lidhet me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës.

Seasnca do të mbahet në orën 9:30.

Tre nga të akuzuarit – Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviq kanë deklaruar se ndihen të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ata janë pjesë e një grupi prej gjithsej 45 të pandehurish, të akuzuar për veprime terroriste të kryera gjatë sulmit në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, sulmi është organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radojiçiç, i cili ka pranuar publikisht përfshirjen e tij. Ai dhe 41 të tjerë ndodhen ende në arrati. Më 11 shtator 2024, ndaj të gjithë të pandehurve është ngritur aktakuzë për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera penale të rënda.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar zyrtarisht nga Serbia ekstradimin e Radojiçiç-it dhe të bashkëpunëtorëve të tij, por deri më tani kërkesat nuk janë përmbushur. INTERPOL ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për ta, ndërsa presioni ndërkombëtar ndaj Beogradit për dorëzimin e tyre vazhdon./Arbresh.info