Mbahet sot seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

07:55 | 24 Nëntor 2025
E.G

Sot mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Seanca do të zhvillohet në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë me fillim nga ora 09:30, shkruan Arbresh.info.

Në seancat e fundit janë dëgjuar disa dëshmitarë kyç, përfshirë Kanon Kokallën, i cili para trupit gjykues ka konfirmuar se është në lidhje familjare me dy të akuzuarit, ndërsa për Granit Plavën tha se e kishte shok gjenerate.

Tutje, i pyetur lidhur me sjelljet e vëllait të tij, tani të akuzuarit Kokalla, dëshmitari tha se ai ishte pjesëtar i FSK-së.

“Për faktin se ka qenë pjesëtar i FSK-së, do me thënë se ka qenë djalë i sjellshëm”, kishte deklaruar Kokalla.

Ai theksoi se familja e tij është ende nën tronditje nga rasti, ndërsa rrëfeu se për vrasjen kishte kuptuar nga një shok që i kishte shkruar në Facebook.

Ekspertët e Psikiatrisë Forenzike kanë konstatuar se Naim Murseli dhe Granit Plava nuk kanë pasur çrregullime mendore në kohën e kryerjes së veprës.

Në seancën fillestare të 31 janarit, Murseli u deklarua i pafajshëm, Plava nuk u deklarua, ndërsa Kokalla kërkoi të konsultohet me mbrojtjen. I akuzuari tjetër, Tom Dodaj, kishte pranuar fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Aktakuza ndaj të pandehurve ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025.

Shpërndaje në rrjete sociale