Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi mbajti mbledhjen e tretë.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti theksoi edhe një herë rëndësinë e punës së përbashkët të Komisionit, për vlerësimin e kapaciteteve të nevojshme për transformimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vendit.
Për këtë në takimin e sotëm u prezantuan dhe diskutuan dy studime të fizibilitetit në sektorin e shëndetësisë.
Studimi i parë, për Spitalin e Prishtinës, ishte përgatitur nga ICME dhe u prezantua nga kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama dhe zyrtarët e tij.
Ndërsa, studimi i dytë, për ShSKUK-në, u prezantua nga Thomas Weismann, ekspert gjerman për ekonomikë shëndetësore, me titullin “Përmirësimi i infrastrukturës fizike të institucioneve të kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar”, thuhet në njoftimin për media.
Kryeministri informoi Komisionin që në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, është miratuar Udhëzimi Administrativ për licencim të profesionistëve të huaj shëndetësor.
Miratimi i Udhëzimit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve, duke plotësuar ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen.
Po ashtu, ardhja e profesionistëve të mërgatës do të mundësojë trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen.
Mirëpo, Kryeministri theksoi që Udhëzimi nuk mund të arrijë qëllimin e vet pa hapa konkretë, të shpejtë dhe të vazhdueshëm për të siguruar zbatimin e tij.
Andaj, anëtarët e Komisionit janë dakorduar që Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja të nisin menjëherë hapat e nevojshëm për të planifikuar sjelljen e sa më shumë të mjekëve specialistë nga mërgata për dhënie të shërbimeve dhe ofrim të trajnimeve.
Kryeministri nënvizoi se jetësimi i kësaj iniciative është çështje urgjente dhe se çdo ditë vonesë është kohë e humbur./arbresh.info/










BE-ja paralajmëron për pasoja pas kërcënimit të Trumpit me t...
Vazhdon procesi në QNR, rinumërohen 445 nga 914 vendvotime
“Është nder i madh për mua”, çka i tha Trumpi – Ramës në let...
Një person në Deçan vetëplagoset në gishtin tregues
Izraeli reagon ashpër ndaj emërimit të panelit ndërkombëtar ...
Aksident trafiku në Prishtinë, lëndohet këmbësorja