Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë vendin po rrezikojnë shëndetin e punëtorëve, ndërsa masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë nuk po zbatohen në terren.
Kështu ka deklaruar Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat. Inspektorati i Punës tha se i ka inspektorët në terren për zbatim të këtyre masave.
Përkundër temperaturave ekstreme që po mbretërojnë ditëve të fundit, masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen e punëtorëve në sektorin privat nuk po zbatohen në praktikë.
Kështu ka deklaruar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, për Radio Kosovën i cili tha se tash e tri ditë ka parë vetë punëtorë që po vazhdojnë të punojnë në ambiente të hapura edhe gjatë orëve më të nxehta të ditës.
“Në pikun e vapës, puna po zhvillohet sikur të mos ekzistonte asnjë vendim. Dje, një punëtor ka humbur jetën si pasojë e sulmit kardiak nga temperaturat e larta, kjo tregon se as nuk po hyn në punë ky vendim”, tha ai.
Ndërkohë ministri në detyrë, Hekuran Murati, ka folur për vdekjet e punëtorëve në vendin e punës. Ai theksoi nevojën për masa edhe nga punëdhënësit edhe nga investitorët.
“Vitin e kaluar ka qenë numër rekord i ulët i vdekjeve në vendin e punës, uroj që këtë vit të mos kemi raste të tilla tragjike. Duhet të merren masa edhe nga punëdhënësit edhe nga investitorët”, tha ai.
Për zbatimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë përgjegjës është Inspektorati i Punës. Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit, Riza Plakolli, tha për Radio Kosovën se inspektorët janë duke monitoruar zbatimin e vendimit në terren.
“Orari i punës i përcaktuar nga ora 11 deri në orën 16 po respektohet nëpër të gjitha vendpunishtet e inspektuara. Gjithashtu deri në këtë moment Inspektorati Qendror i Punës nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare që lidhet me moszbatimin e këtij vendimi”, tha ai.
Plakolli tha se në gjithë rajonin e Prishtinës janë vetëm 20 inspektorë.
Përveç masave për punëtorët, edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndërmarrë veprime. Nga 23 deri më 28 korrik, është ndaluar qarkullimi i automjeteve me peshë mbi 15 tonë në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale nga ora 11:00 deri në 17:00.
A do të largohet Guardiola nga City? Kjo është përgjigja e s...
Bahamas njeh Kosovën, Osmani nënshkruan marrëveshjen diploma...
Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, kërkon nga Them...
Treni godet një automjet afër Drenasit, dy të lënduar
Polonia dhe Ukraina tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë...
KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues, prej tyre 15 organizata