Maqedonci për letrën dërguar KFOR-it: Nuk paraqet asgjë të re, është zotim i Thaçit nga viti 2013

22:35 | 22 Janar 2025
K.B

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar pasi është publikuar letra që ai i ka dërguar KFOR-it për sa i përket asaj se nuk do e dërgojë FSK-në në veri.

Maqedonci në reagimin e tij ka thënë se letra e dërguar nuk paraqet asgjë të re, duke thënë se qëllimi i letrës së dërguar është sqaruar edhe më parë dhe ai mbetet i vlefshëm sepse është i vërtetë, shkruan Arbresh.info

Maqedonci thotë se nuk pajtohet me atë zotim, por se është përgjegjësi e tij dhe do ta respektojnë, teksa thekson se është zotim i dhënë nga ish kryeministri Thaçi.

Reagimi i tij:

Asgjë të re për publikun nuk paraqet letra dërguar Komandantit të KFOR-it për ngjarjen e 24 Nëntorit të vitit 2024, kur Garda Ceremoniale ishte angazhuar në veri të vendit në një cermoni mortore.

Qëllimi i letrës së dërguar është sqaruar edhe më parë dhe ai mbetet i vlefshëm sepse është i vërtetë. Letra në fjalë është dërguar me qëllimin që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ta siguroj atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. Në asnjë mënyrë, letra nuk paraqet rizotim dhe nuk mund të interpretohet si rizotim, pasi për angazhimin e FSK-së në veri të Kosovës, ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-

Kryeministri Thaçi në prill të vitit 2013, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës.

E ritheksoj, ashtu siç e kam thënë në çdo paraqitje timen publike, që personalisht nuk pajtohem me atë zotim, pasi vazhdoj të mendoj se ka qenë zotim i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë, si dhe me pasoja afatgjata. Mirëpo ashtu siç e kemi deklaruar si Ministri e Mbrojtjes dhe si Qeveri e Kosovës, letrën zotuese të vitit 2013 do ta respektojmë, sepse jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve të trashëguara institucionale për aq kohë sa janë në fuqi.

Përgjegjësi e imja dhe e Komandantit të KFOR-it tani kur veçse ekiston zotimi i vitit 2013 i dhënë nga ish Kryeministri Thaçi, është që të sigurojmë njëri-tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar./Arbresh.info/

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një letre dërguar Komandantit të KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduanit, ia ka rikonfirmuar zotimin se nuk do ta dërgojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri të vendit, përveç se me leje të KFOR-it.

Letra e zotimit është publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj teksa thuhet se kjo ministri dhe Qeveria e Kosovës do ta respektojë zotimin e bërë në letrën e 19 prillit 2013 se FSK-ja s’do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Kosovës do ta respektojë zotimin e bërë përmes letrës së datës 19 prill 2013 nga ish-kryeministri Thaçi, i cili zotohet se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ndërmerrte një mision në pjesën veriore të Republikës së Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it”, thuhet në letrën e Maqedoncit dërguar Barduanit./Arbresh.info/