Maqedonci: Ëndrra e Adem Jasharit për shtet dhe ushtri, është bërë realitet

16:40 | 5 Mars 2026
Q L

Ministri kosovar i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shënuar fillimin e manifestimit treditor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një nga momentet më të rëndësishme të kujtesës kombëtare. Ai ka përkujtuar me respekt të thellë sakrificën e familjes Jashari, të dëshmorëve të rënë dhe të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Datat 5, 6 dhe 7 mars mbeten simbol i qëndresës dhe vendosmërisë për liri, të mishëruara në heroizmin e Adem e Hamëz Jasharit, të cilët së bashku me familjen dhe bashkëluftëtarët e tyre, u bënë themeli i sakrificës mbi të cilën u ndërtua rruga drejt lirisë”, ka thënë ai.

Maqedonci ka theksuar se qëndresa e tyre e pashoq dhe përkushtimi deri në vetëmohim bënë që kauza e drejtë e popullit të Kosovës të gjejë mbështetje tek aleatët e NATO-s, duke i dhënë fund periudhës së errët të shtypjes dhe duke hapur rrugën drejt shtetndërtimit.

“Sot, trashëgimia e tyre jeton në idealin, disiplinën dhe përkushtimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët me krenari bartin emblemën e shtetit dhe mbrojnë lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, thotë ai.

Ministri Maqdonci ka përmbyllur mesazhin duke vlerësuar se ëndrra e Adem dhe Hamëz Jasharit për shtet dhe ushtri është bërë realitet dhe forcohet çdo ditë përmes angazhimit të përbashkët për një Kosovë të sigurt, të fortë dhe të qëndrueshme.

“Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Lavdi përjetë sakrificës së tyre për lirinë e Kosovës”, ka shkruar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale