Majorja e Policisë së Kosovës diplomon nga Akademia Kombëtare e FBI-së

14:56 | 15 Dhjetor 2025
A Z

Majore Luljeta Mehmeti – Quigley ka përfunduar me sukses Sesionin e 296-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së në Quantico, Virxhinia, SHBA. Ceremonia e diplomimit u zhvillua në ambientet e Akademisë së FBI-së, duke shënuar një arritje të rëndësishme për karrierën e saj dhe për Policinë e Kosovës.

Policia ka njoftuar se majorja Mehmeti – Quigley është pjesë e një grupi të përzgjedhur zyrtarësh të lartë të zbatimit të ligjit që përfundojnë këtë program prestigjioz. Ajo është një nga pak zyrtarët e Policisë së Kosovës që ka përfunduar këtë trajnim elitar, i cili në nivel ndërkombëtar ndjeket nga më pak se 1% e profesionistëve të fushës.

Akademia Kombëtare e FBI-së ofron 11 javë trajnim të avancuar në lidership, komunikim, shkenca të sjelljes, përgatitje fizike dhe praktika bashkëkohore të zbatimit të ligjit. Pjesëmarrësit përzgjidhen mbi bazën e performancës profesionale dhe potencialit udhëheqës, dhe mesatarisht kanë mbi 20 vjet përvojë në fushën e zbatimit të ligjit.

Sesioni i 296-të përbëhej nga 254 zyrtarë nga 47 shtete të SHBA-së, Distrikti i Kolumbisë, 24 shtete të tjera të botës, katër organizata ushtarake dhe dy agjenci federale civile, duke reflektuar një dimension ndërkombëtar dhe ndërinstitucional të lartë.

Diplomimi i majores Mehmeti – Quigley pasqyron profesionalizmin, lidershipin dhe përkushtimin e saj ndaj Policisë së Kosovës, duke forcuar kapacitetet institucionale dhe standardet moderne të policimit. Pjesëmarrja e saj në këtë program rrit aftësitë për të zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare, forcon partneritetet dhe kontribuon në sigurinë publike për të gjitha komunitetet në Kosovë.