Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë, rrugë e vdekjes

13:14 | 27 Shtator 2015
M. A.

Magjistralja Prishtinë- Mitrovicë, po quhet rrugë e vdekjes, për shkak të aksidenteve të shpeshta me fatalitet që po ndodhin. Së fundi kemi pasur dy të tilla në aksidente të ndryshme, ku humben jetën dy persona.

Magjistralja Prishtinë-Mitrovicë, ndryshe njihet edhe si rrugë e cila punimet në të s’kanë të ndalur tash e pesë vite, mirëpo gjendja e saj është shumë e brishtë përkundër punimeve.

Qytetarët të cilët e marrin këtë rrugë kanë ankesa të shumta edhe për vonesat, edhe për mos sinjalizimin e duhur për punime në rrugë, e ku si pasoj e kësaj të fundit kishte humbje jete edhe vitin e kaluar, por kishte edhe aksidente të shumta, posaçërisht gjatë natës.

Gjithashtu, edhe banorët e kësaj ane, kishin ankesa të shumta sa i përket punimeve në rrugë, dhe konsideronin si një zvarritje të tepërt në punimet e kësaj rruge, përkatësisht në zgjerimin e saj, por edhe me vend kalimet për këmbësor përkatësisht nënkalimet dhe stacionet e autobusëve. Banorët vetëm gjatë këtij viti dhe vitit që lamë pas, kishin organizuar disa protesta të cilat duke mos u marrë parasysh nga organet shtetërore kompetente, filluan edhe të eskalojnë dhe për këtë kishte edhe arrestime.

Qysh në muajin qershor ministri i Infrastrukturës z.Lutfi Zharku, është shprehur se punimet në këtë rrugë do të përfundojnë së shpejti, përkatësisht me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë nga mërgata, kjo rrugë do të jetë e përfunduar. Ndërsa sa i përket vonesave në punime organet kompetente shtetërore i arsyetojnë me vonesat rreth shpronësimit të pronës private, ku kjo magjistrale i atakon. Mirëpo, punimet në këtë rrugë nuk shihet se do të përfundojnë as brenda këtij viti.

Ndërsa edhe Policia e Kosovës, ka shtuar patrullat e saj në këtë Magjistrale, në mënyrë që të parandaloj aksidentet e mundshme, mirëpo në një video që na ka dërguar z.Aziz Tahiri, banorë i fshatit Stanovc të Vushtrrisë, i cili udhëton së paku dy herë në ditë në këtë rrugë, shihet se si një kamion me tabela të Novi Pazarit, është futur në rrugën njëdrejtimëshe dhe nuk ka të ndalur. Video është bërë me datën 26.09.2015, dhe siç shihet kamioni është duke vazhduar rrugën në drejtim të Mitrovicës përkatësisht në fshatin Babimofc tek Hotel “Amazona”./BS/

Shpërndaje në rrjete sociale