LVV e vazhdon vetëm seancën për zgjedhjen e Presidentit, Haxhiu përsërit “obligimin” e deputetëve të opozitës për të marrë pjesë

14:43 | 28 Prill 2026
R J

Ka nisur vazhdimi i seancës për zgjedhjen e Presidentit me fjalët e para të kryeparlamentares Albulena Haxhiu që u bëri thirrje edhe njëherë deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në këtë seancë.

Ajo përmendi “obligime” që tha se ata kanë për të votuar dhe për ta mundësuar zgjedhjen e Presidentit.

Deputetët e pushtetit u mbledhën sërisht sot paradite në Kuvend për rundin e dytë të votimit për President, pavarësisht se nuk ishin 80 deputetë në sallë dhe pavarësisht se kjo procedurë që nisi mbrëmë, u konsiderua si cenim i rendit kushtetues të vendit nga njohës të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare.

Haxhiu e shtyu vazhdimin e seancës për në orën 14:00, duke i ftuar deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë, pasi sipas saj, ata janë të obliguar të votojnë dhe të mundësojnë zgjedhjen e Presidentit.