Kurti: Opozita po bllokon reformat dhe po rrezikon miliona euro nga BE

14:43 | 14 Maj 2026
E.K

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën për bllokim të punës në Kuvend dhe pengim të reformave që lidhen me integrimin evropian të Kosovës.

Gjatë takimit të parë të Këshillit ministror për integrim evropian, ku u diskutua zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, Kurti tha se mungesa e një opozite funksionale po rrezikon humbjen e miliona eurove nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, nëse Kuvendi do të funksiononte normalisht, shumica e reformave do të përfundonin deri në fund të qershorit.

Kurti deklaroi se aktualisht janë të rrezikuara nëntë nga dhjetë reforma që skadojnë më 30 qershor, ndërsa bëhet fjalë për 12 projektligje që presin miratim në Kuvend.

Ai tha se zgjedhjet kanë qenë të panevojshme dhe se bllokadat politike po ngadalësojnë procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“Numri më i madh i reformave do të raportoheshin të kryera deri në fund të qershorit, në qoftë se krahas vullnetit të madh e të mirë e punës serioze të qeverisë sonë, do të kishim edhe një opozitë parlamentare serioze që merr përgjegjësinë e cila i takon në Kuvend. Ne jemi në një situatë ku e kemi një opozitë e cila zgjedh për të mos ardhë në Kuvend, edhe kur vjen shikon cilat ligje me i blloku. Kjo është vërtet sfidë për neve si qeveri dhe është humbje e kohës dhe e mjeteve për neve si shtet”, tha Kurti./Arbresh.info