Lushtaku: Grupet kriminale në veri janë mobilizuar për protesta e barrikadime

22:02 | 5 Nëntor 2022
E.H

Deputeti i PDK-së Mergim Lushtaku, konsideron se tensionimi i situatës në veri është si rezultat i veprimeve të pamatura të Qeverisë Kurti.

Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar se sipas informacioneve që ka, grupet kriminale serbe janë mobilizuar bashkë me Listën Serbe, për të bërë protesta e për të vendosur barrikada në veri.

“Si rezultat i vendimeve të njëanshme dhe të pa matura nga Qeveria, situata në veri të Kosovës është tensionuar. Sipas informacioneve, grupet kriminale në këtë pjesë janë mobilizuar si kurrë më parë, ashtu që në bashkëpunim edhe me Listën Srpska janë duke u mobilizuar që nesër të organizojnë protesta dhe barikadime në veri, për të cilat veprime vetëm po presin urdhërin nga Beogradi zyrtar”, tha Lushtaku.

Tutje, Lushtaku tha se veriu i Kosovës dita-ditës po i ikë nga dora institucioneve të Kosovës derisa përmendi edhe se shtetet e QUINT-it kanë zvogëluar bashkëpunimin e tyre me Kurtin.

“Ambasadat e shteteve të Kuintit e kanë zvogëluar bashkëpunimin me Qeverinë e cila po vepron njëanshëm, pa pasur fuqinë që t’i ndalojnë veprimet e paligjshme në veri kurse siç po lëvizin gjërat, veriu i Kosovës po shkon larg nga kotrolli i Institucioneve sovrane të Kosovës”, ka shkruar në fund Lushtaku./arbresh.info/