Lumezi takoi Presidentin e Parlamentit të Cyrihut, flasin për sfidat dhe të arriturat e sistemit prokurorial të Kosovës

10:51 | 17 Qershor 2021
A Z

Në kuadër të takimeve zyrtare me udhëheqës të institucioneve të Zvicrës, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, u pritën në takim nga Presidenti i Parlamentit të Kantonit të Cyrihut, Benno Scherrer dhe Kryetari i Komisionit për Drejtësi dhe Siguri Publike të këtij parlamenti, Tobias Mani.

Gjatë këtij takimi, bartësit e sistemit prokurorial, u njoftuan për së afërmi nga Presidenti Scherrer dhe Kryetari Mani për punën, funksionet e tyre dhe përgjegjësitë në proceset e nxjerrjes së ligjeve edhe praktikave të zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe mbikëqyrjen e punëve të tyre.

Ndërkaq, Kryeprokurori Lumezi njoftoi nikoqirët për funksionimin, sfidat dhe të arriturat e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim u shkëmbyen edhe pikëpamjet dhe përvojat për mbikqyrjen dhe disiplinimin e prokurorëve nga institucionet përkatëse.

Në fund, Kryeprokurori i Shtetit ka falënderuar Presidentin e Parlamentit të Kantonit të Cyrihut dhe Kryetarin e Komisionit për Drejtësi dhe Siguri Publike të Parlamentit për mikpritjen, me ç’rast ka vlerësuar mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të shtetit të Zvicrës dhënë për Republikën e Kosovës dhe sistemin e saj të drejtësisë./arbresh.info/