Lladrovci: Bedelët partiakë nuk e kanë hallin e qytetarëve, por te paga dhe karriera

11:05 | 8 Tetor 2025
Q L

Kryetari i Drenasit që garon edhe për një mandat, Ramiz Lladrovci ka reaguar ndaj atyre që sipas tij po përpiqen të ndikojnë në procesin zgjedhor në komunën e Drenasit.

Ai ka theksuar se këta individë, të cilët i quan “bedelë partiakë”, nuk janë të shqetësuar për qytetarët, por për interesat e tyre personale dhe karrierën, shkruan Arbresh.info.

“Bedelët partiakë nuk e kanë hallin e qytetarëve të Drenasit apo të partisë – hallin e kanë te paga dhe karriera e lidhur me favore personale e familjare,” ka shkruar Lladrovci.

Sipas tij, gjatë fushatës është dëshmuar mbështetje e madhe qytetare dhe atmosferë fitoreje në çdo takim. Ai ka theksuar se bashkë me ekipin e tij po përcjellin mesazhin e punës, përkushtimit dhe qeverisjes së ndershme.

“Orteku i fitores po i afrohet cakut, mikpritja është e jashtëzakonshme gjithandej tubimeve zgjedhore, në fshatra e lagje të komunës tonë, me 101 arsyet ‘Për Drenasin Kampion’. Nga takimet e zhvilluara deri më tani me mijëra qytetarë kemi dëshmuar kulturë të lartë politike dhe komunikimi për vizionin tonë, për Drenasin – zemrën e Kosovës,” ka shkruar ai.

Lladrovci ka akuzuar kundërshtarët politikë se po dërgojnë përfaqësues nga komuna të tjera për të ndikuar në zgjedhje, duke i cilësuar si përpjekje të dështuara për të devijuar vullnetin e qytetarëve.

“Keqbërësit kanë aktivizuar jo vetëm bedelët vendorë, por edhe ata të komunave tjera, për të devijuar vullnetin e qytetarëve të zemrës së Kosovës. Por, para se të vijnë në Drenas, le të shohin si e kanë gjendjen në komunat e veta,” ka theksuar ai.

Në fund, ai është shprehur i bindur se qytetarët e Drenasit do të votojnë për “kryetarin meritor”, pa dallim partie./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale