Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, në një intervistë për Gazetën Express ka promovuar bashkimin e të gjitha partive opozitare në një listë bartës i së cilës do duhej të ishte ndonjë kandidat i LDK-së. Ai ka thënë se kryetari i ri i LDK-së menjëherë duhet ta nisë përpjekjen për t’i bashkuar partitë që deri tani kanë qenë në opozitë. Nëse kjo nuk ndodh, sipas tij, secili duhet të shkojë rrugës së vet në koalicione parazgjedhore. Deputeti nga radhët e Alternativës ka thënë se pret që data e zgjedhjeve do të caktohet javën e ardhshme.
-Kosova për momentin është pa qeveri pas dorëheqjes së kryeministrit. Në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, të cilat duket se janë vullneti të gjithë partive, cili është qëndrimi i partisë Alternativa, a jeni në bisedime me ndonjërën prej partive për koalicion apo do të garoni të vetëm?
Unë qëndrimin tim e kam bërë publik menjëherë pas dorëheqjes së kryeministrit, qëndrim të përsëritur shumë herë, që vendi duhet të shkojë në zgjedhje në shtator, dhe që në këto zgjedhje e gjithë opozita duhet të merr pjesë e bashkuar – me një listë zgjedhore të gjitha partive opozitare, dhe gjithashtu me individë që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje deri sot. Natyrisht që duhet të ketë edhe unifikim të qëndrimeve politike të partive, sepse ka disa dallime mes nesh, e nuk mund të bashkohemi pa kohezion programor qeverisës. Këtë qëndrim do ta promovoj deri në fund, e nëse bashkimi opozitar nuk ndodhë, çdonjeri ecë rrugës së vet.
-Keni përmendur edhe si opsion një listë të përbashkët të partive të opozitës. Si do funksiononte kjo kur dihet se ndërmjet partive në opozitë ka kundërthënie si dhe kush do ishte personi i duhur për të qenë bartës i kësaj liste?
Pjekuria politike dhe gadishmëria për marrje të përgjegjësisë për transformim rrënjësor politik e socioekonomik të Kosovës e bën pak relevante pyetjen tuaj. Nëse nuk ndodhë ky unifikim, a mund ta paramendoni si do të jetë Kosova pas zgjedhjeve me një qeveri të re të vendnumrimit? Do të thotë, zgjedhjet e shtatorit janë përcaktuese për dekadën e ardhshme. Natyrisht, bartës i listës së opozitës së bashkuar do të vinte nga partia më e madhe, pra nga Lidhja Demokratike.
-Jemi në fundin e procesit të zgjedhjes së kryetarit të LDK’së. Ka qenë një proces i gjatë dhe me shumë probleme. Çfarë epilogu pritni për Kuvendin Zgjedhor që do mbahet me 3 gusht?
LDK-së i dëshiroj sukses në Kuvendin Zgjedhor, punë të mbarë dhe zgjedhje demokratike të udhëheqësisë së re. Por më e rëndësishmja, dëshiroj që menjëherë javën që vjen LDK të vihet në ballë të bashkimit të forcave demokratike në Kosovë.
-Kosova dhe Serbia duhet që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme në mënyrë që të ecin në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ka kohë që dy palët nuk janë takuar për dialog për arsye të ndryshme. Po të ishte në dorën e juaj a do të largonit taksën në mënyrë që të i hapni rrugë bisedimeve?
Taksa është mjet për arritjen e një qëllimi e jo qëllim në vetvete. Kosovës i duhet që Qeveria e re të ketë parime të qarta mbi të cilat do të shkohet në bisedime dhe mbi të cilat Kosova dëshiron që arrijë marrëveshjen finale me Serbinë.
-A mendoni se taksa ka qenë vendim i duhur në kohën kur është implementuar nga qeveria?
Po, ishte vendim i duhur në kohën kur u vendos si masë politike. Pastaj u shënderrua qëllim në vetvete, dhe vendi nuk i shfrytëzoi mundësitë që i patëm. Humbja e mundësive është tipike për politikën e Kosovës.
-Dhe për fund a pritni që presidenti i vendit të caktojë një datë të zgjedhjeve apo Kuvendi do të marrë iniciativën dhe do të votoj të shpërbëhet?
Pres që javën e ardhshme do të shpallen zgjedhjet, ose me vendim të Thaçit ose me vetëshpërbërje të Kuvendit.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit vizitoi dho...
Voton Sveçla, u bën thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje
Dy të vdekur në Suedi, stuhia dimërore vdekjeprurëse godet v...
KEK në gatishmëri maksimale: Të gjitha kapacitetet në shërbi...
Presidentja Osmani me shpresë që rezultati i zgjedhjeve rezu...
U.D. i Ministrit të Drejtësisë, voton dhe fton qytetarët të ...