Librat u rishikuan, por gabimet nuk u larguan

23:51 | 14 Janar 2023

Tekste të reja shkollore u botuan për të gjitha klasat në arsimin e mesëm të ulët.

Madje ato që u botuan në vitet 2019 dhe 2020, u rishikuan, por edhe pas rishikimit njësi mësimore të cilat përmbajnë pasaktësi të dhënash vazhdojnë t`i kenë edhe pas rishikimit.

Arsimtarët kërkojnë një punë më vigjilente gjatë botimit apo rishikimit të teksteve shkollore.

Në Ministrinë e Arsimit vënë në dukje se do të ndëshkohen të gjithë ata që nuk kryen punën me përgjegjësi në procesin e botimit e rishikimeve të teksteve shkollore.

Në formë bashkëbisedimi interkativ nxënësit i përvetësojnë edhe më shumë mësimet në lëndën e Gjuhës Shqipe, përgjatë shkollimit të mesëm të ulët.

Por tekstet në disa raste përmbajnë të dhëna jo të sakta.

Teksti shkollor i Gjuhës Shqipe të klasës së gjashtë është botuar në vitin 2019, i cili edhe është rishikuar në vitin 2020. Por në faqen 21, në njësinë mësimore “Borëbardha”, titulli nuk përkon me tekstin, pasi në tekst përshkruhet përralla –“Kësulëkuqja”.

Nga titulli: “Borëbardha”, teksti vazhdon:

“Borëbardha” është një përrallë që bën fjalë për një vajzë që niset për ta vizituar gjyshen, por rrugës nuk i dëgjon këshillat e nënës dhe mashtrohet nga ujku”.

Edhe pse për këtë fakt të ngatërrimit të përrallave, është raportuar në medie në vitin 2019 kur është botuar edhe ky teksti i ri shkollor, një gjë e tillë nuk është përmirësuar edhe pas rishikimit të tekstit në vitin 2020.

Për tekstin shkollor të lëndës së Edukatës Qytetare të klasës së tetë, arsimtari i kësaj lënde sugjeron që disa prej njësive mësimore të rishikohen.

Në përputhje me atë se çfarë është planifikuar në planprogramin mësimor dhe me njësit mësimore prezente në tekstin shkollor nuk është edhe libri i matematikës së klasës së nëntë.

Kjo çështje dhe shumë identifikime të tjera në tekste shkollore, pritet të rregullohen me Ligjin e ri për tekstet shkollore.

Tekstet shkollore në arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe atë të lartë për botim, ribotim e rishikim bazohen në ligjin të vitit 2006./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale