Letra e Biden për Vuçiç, Andoni: I jep forcë Kosovës, por njohja e pavarësisë ende shumë larg

01:14 | 8 Shkurt 2021

I ftuar në edicionin qëndror të lajmeve në RTV Ora, analisti Ben Andoni ka komentuar letrën e presidentit të SHBA, Joe Biden drejtuar atij serb Aleksander Vuçiç ku ndër të tjera i kërkonte njohjen e Kosovës si shteti i pavarur.

Sipas Andonit, letra e Biden i jep forcë Kosovës, mbi të gjitha për shkak se vjen në një moment simbolik për Serbinë siç është Festa e Republikës.

“Interesante është sepse letra është bërë me rastin e festës së Republikës së Serbisë dhe kjo merr një ngjyrim tjetër. SHBA i konfirmojnë edhe Serbisë që janë pranë procesit të integrimit në BE por në çdo moment Kosova për ata mbetet tek vijat e kuqe. Dhe e thënë në këtë moment, moment simbolik për Republikën e Serbisë, për Kosovën merr një forcë shumë të madhe. Jo më kot të gjithë kanë qenë të entuziazmuar në Kosovë. Për arsyen e vetme që, SHBA, me administratën e re të zotin Biden, fundin e tunelit e shohin me njohjen reciproke” u shpreh analisti në intervistën për gazetaren Besmira Pelushaj.

Andoni shtoi më tej se, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi është ende shumë larg dhe shkaktare për këtë bëri mbështetësen e Serbisë, Rusinë

“Shqetësuese është, për shkak të konjukturave të krijuara, zoti Vuçiç ka gjetur mundësinë për ta rikthyer dhe për të treguar qëndrimin serb. Dhe kjo tregon që ajo status-quoja do të vazhdojë. Sepse ju e dini, Serbia ushqehet dhe mbahet nga një prej fuqive më të mëdha të botës, siç është Rusia. Kuptohet që njohja e pavarësisë së Kosovës është ende ende shumë larg“, u shpreh Ben Andoni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara