LDK kundërshton rritjen e çmimit të energjisë elekrike

23:44 | 28 Mars 2025
Q L

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15%. LDK e ka cilësuar këtë rritje si të padrejtë dhe të dëmshme për qytetarët.

Në komunikatën e saj, LDK thekson se ky vendim përbën rritjen e tretë të çmimeve të energjisë gjatë mandatit të kësaj Qeverie, duke e akuzuar ekzekutivin për ‘paaftësi në menaxhimin e sektorit energjetik dhe për mos mbrojtjen e interesit publik”. “Ky vendim i papranueshëm është dëshmi e qartë e mungesës së ndjeshmërisë sociale dhe politike të këtij pushteti, i cili në vend të ndihmës për qytetarët, po i godet ata sistematikisht me rritje të kostos së jetesës,” thuhet në reagimin e LDK-së.

Po ashtu, LDK ka theksuar se qytetarët e Kosovës janë përballur me inflacion të lartë dhe ngritje të çmimeve në shumë sektorë jetikë, ndërkohë që pagat kanë stagnuar dhe fuqia blerëse është dobësuar. “Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike është jo vetëm e padrejtë dhe e pajustifikueshme, por dhe e dëmshme për interesin e përgjithshëm,” ka shtuar LDK.

LDK ka kërkuar nga ZRrE që të mos bëhet vegël e politikave të gabuara dhe të rikthehet në funksionin e saj të vërtetë, mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe transparent të energjisë. “Kosova meriton një qeverisje kompetente dhe me vizion, jo një pushtet që e trajton popullin si barrë,” thuhet më tej në reagimin e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të kundërshtojë çdo politikë që rëndon padrejtësisht qytetarët.

Të ngjashme