Kuvendi nuk e kalon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Liritë Fetare

20:25 | 30 Nëntor 2015
M. A.

Seanca e sotme parlamentare u mbajt vetëm nga pozita, pa prezencën e opozitës, pasi që këta të fundit u pezulluan për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës.

Gjatë kësaj seance, u miratuan shumë projektligje, por jo edhe ajo për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Liritë Fetare.

Kështu me 37 vota pro dhe 12 kundër , ky ligj nuk kaloi.

Këtë projektligj e prezantoi dhe e arsyetoi ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili tha se ky projektligj konsiston me eliminimin e zbrazëtirave ligjore të cilat konsistojnë e ligjin aktual.

 

“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 02L-31 për Liritë Fetare në Kosovë rregullon mënyrën dhe kushtet e regjistrimit të Bashkësive të reja Fetare në Kosovë, shqyrtimin e kërkesave të regjistrimit dhe çregjistrimin e Bashkësive Fetare në Republikën e Kosovës dhe kryen komisione për regjistrimin e Bashkësive Fetare të Reja. Komisioni përbehet n ga 7 anëtarë, të cilët zgjedhin duke respektuar përbërjen etnike dhe gjinore në Kosovë. Bashkësitë Fetare nuk janë të detyruar të regjistrohen dhe të pranojnë statuse të personit juridik kundër vullnetit të tyre”, tha Abrashi.

Po ashtu, ai shtoi se ky projektligj rregullon edhe çështjen e varrezave dhe të riteve të varrimit.

 

“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit 02L-31 për liritë fetare në Kosovë rregullon çështjen e varrezave dhe riteve të varrimit. Vendet e varrezave caktohen në baza neutrale dhe jodiskriminuese nga autoritetet publike pa ndërhyrje të bashkësive të tjera fetare dhe se ritet fetare kryhen në përputhje me dëshirën e të ndjerit, apo në mungesë të dëshirës së tij/saj, në përputhje me dëshirën e familjes, të afërmeve të të ndjerit, derisa nuk bie ndesh me rendin publik”, shtoi Abra shi.

Mirëpo, shumë deputet nuk ishin në pajtim me këto gjëra.

Kështu, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti, tha se është në dyshim nëse ky ndryshim dhe plotësim i Ligjit për fe do jetë më i përshtatshëm. Për këtë ai tha se nuk është pro tij.

E Melihate Termkolli, po ashtu nga radhët e LDK-së, tha se ky projektligj është shumë i ndjeshëm dhe se ka frikë se do të ç’rregullohen gjërat. Për këtë ajo deklaroi që është kundër kalimit të këtij ligji.

 

“Unë mendoj dhe kam frikë që me këtë projektligj më shumë se që rregullohen marrëdhëniet ato do të ç’rregullohen. Prandaj do të ishte shumë mirë nëse Qeveria e tërheq, unë do ta votoj kundër nëse hidhet në votim, por mendoj që duhet të trajtohet në mënyrë shumë më serioze kjo çështje. Nuk është problemi vetëm tek imazhi i Kosovës, mbi të gjitha dhe para së gjithash është ajo e sigurisë së qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve të Kosovës”, tha Termkolli.

Seanca vazhdoi me paraqitjen e projektligjit për shër bime të jashtme nga zëvendës-kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme, Hashim Thaçi, i cili tha se shërbimi i jashtëm i Kosovës është rritë sa vet shteti i Kosovës dhe si i tillë ka arritur që të konsolidohet shpejtë dhe të përfaqësojë Kosovën në botë.

 

“Ligji i ri do të sigurojë një kornizë ligjore koncize dhe koherente duke harmonizuar ligjin në fuqi për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, që deri më tani ka qenë i shpërndarë me akte të ndryshme ligjore. Pra, ligji i ri do të krijojë qartësi juridike, do ta avancohet roli i akademisë diplomatike që do të ketë rol më të rëndësishëm në pranimin dhe aftësimin profesional të diplomatëve. Kjo do të sjellë rritje të standardit profesional me provime për t’u bërë pjesë për shërbimin dhe avancimin në kuadër të shërbimit të jashtëm të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai shtoi se shërbimi i jashtëm do të jetë shërbim i specializuar që do të rezultojë me më shumë siguri dhe stimulim për diplomatët që shërbejnë, por do të instalojë edhe më tej përgjegjësi dhe standard më të larta profesionale.

Kë projektligj, së bashku me projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, projektligjin për profesionet e rregulluara, projektligjin për mjekësi ligjore, projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe zyrën kombëtare të auditimit, projektligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar janë miratuar nga deputetët e pozitës./B.Syla/

Shpërndaje në rrjete sociale