Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Gjykata Supreme nuk kishte shqyrtuar si duhet vlerën e objektit të kontestit dhe kishte aplikuar një formalizëm të tepruar, duke vendosur për refuzimin e revizionit mbi bazën e taksës gjyqësore prej 25 eurosh, pa marrë parasysh kriteret objektive të përcaktimit të vlerës monetare të çështjes.
Andaj, parashtruesit e kërkesave në Gjykatën Kushtetuese kontestuan kushtetutshmërinë e vendimit të Supremes.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese theksoi se një qasje e tillë e Gjykatës Supreme kishte cenuar të drejtën e parashtruesve për qasje në gjykatë, duke tejkaluar kufijtë e vlerësimit të saj ligjor dhe duke vendosur një pengesë joproporcionale për shqyrtimin e rastit në thelb.
Gjykata Kushtetuese thekson se duke marrë parasysh që në rastin e parashtruesve të kërkesave kanë vendosur dy instanca gjyqësore- ajo Themelore dhe e Apelit, të cilat kishin juridiksion të plotë në këtë rast dhe se roli i Gjykatës Supreme është rishikimi i zbatimit të ligjit në fuqi nga gjykatat e shkallës më të ulët, arrihet në përfundimin se vendimmarrja e Gjykatës Supreme në rastin konkret përbënte pengesë joproporcionale e cila e cenon vetë thelbin e të drejtës së parashtruesve të kërkesave, të garantuar me Kushtetutë dhe se e njëjta ka tejkaluar lirinë e vlerësimit.
Sipas kësaj Gjykate, konstatimi i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së, vlen vetëm për rrethanat specifike të rastit konkret dhe ndërlidhet vetëm me të drejtën e qasjes në Gjykatën Supreme, por në asnjë mënyrë nuk e paragjykon rezultatin e meritave të rastit.
Për rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm aktvendimin e Gjykatës Supreme dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim, duke kërkuar një rivlerësim në përputhje me të drejtat kushtetuese të garantuara./Betimi për Drejtësi